Site icon Telegrafi

LVV: 47 ditë nga vjedhja e 2 milionë eurove, askush nuk dha dorëheqje as përgjegjësi

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Qeveria Hoti ka dështuar të japë përgjegjësinë më të vogël për vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

LVV thotë se Qeveria në vend se të forconte institucionet e drejtësisë, ajo e zhbëri procesin e vettingut, transmeton Telegrafi.

“Kur partitë e vjetra kthehen paligjshëm në pushtet, ato përligjin dhe inkurajojnë krimin e organizuar në vend. Kështu kjo qeveri e paligjshme fillimisht nuk e parandaloi, e tash edhe 47 ditë pas ka dështuar të japë edhe përgjegjësinë më të vogël për vjedhjen e organizuar të më shumë se 2 milionë eurove nga kuleta e shtetit. Në vend se të forconte institucionet e drejtësisë, ajo e zhbëri procesin e vettingut. Në vend se të luftonte korrupsionin, ajo e zhbëri task forcën antikorrupsion”, thuhet në reagimin e LVV-së.

LVV tutje thotë se “ në vend se t’i ndëshkojë shkelësit e ligjeve, ajo veç sa po i trimëron ata. Prandaj edhe në vend se të shtiret kinse po qeverisë, ajo duhet të shkojë”.

Ndryshe, për vjedhjen e 2 milionë eurove, Telegrafi ka provuar të marrë ndonjë përgjigje nga Prokuroria Speciale, mirëpo këta të fundit nuk u janë përgjigjur thirrjeve të redaksisë./Telegrafi/

 

Exit mobile version