Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur edhe për çështjen e përfaqësimit të serbëve në qeveri dhe paralajmërimit të Kurtit për mos përfshirje të Listës Serbe.
Haziri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se partia serbe që fiton shumicën e vendeve të rezervuara duhet të konsultohet për ministrin serb por sipas tij kryeministri e ruan të drejtën për të emëruar apo jo atë ministër.
“Është me rëndësi që më nuk jemi të kushtëzuar nga votat e Listës Serbe”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Nënkryetari i LDK-së ka treguar edhe “sekretin” pse janë zgjedhur 12 ministri e jo 15.
Haziri ka thënë se është e rregulluar me kushtetutë që pozita e 13 në qeveri i takon minoritetit serb, e 14 shqiptarëve ndërsa sipas tij nëse janë 15 ministri e 15 u takon minoriteteve jo serbe.
“Derisa kemi këtë ligj në fuqi, një qeveri nuk ka legjitimitet nëse nuk i ka të përfshirë komunitetin serb dhe komunitetet tjera joserbe”, deklaroi ndër të tjera Lutfi Haziri./Telegrafi/