Site icon Telegrafi

Lutfi Haziri: Ibrahim Rugova i pajtoi dy herë shqiptarët

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, është mbajtur akademi përkujtimore të vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2017”.

Pos nikoqirit, kreut të Gjilanit, Lutfi Haziri, në këtë ngjarje kanë marrë pjesë djemtë dhe vajza e presidentit Rugova, ministra, deputetë, përfaqësues të intitucioneve tjera e qytetarë të shumtë.

“Ibrahim Rugova është krijuesi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore, i cili jo vetëm që shënoi kthesën historike për të realizuar të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, por shënoi edhe kthesën dhe orientimin drejt aspiratave të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe demokraci”, ka thënë Haziri.

Ai ka vënë në spikamë se presidenti Rugova i pajtoi dy herë shqiptarët e Kosovës në momentet vendimtare për të ardhmen e Kosovës.

“Duke qenë lider politik, ai arriti që në jetën e tij të shkurtër të pajtoj dy herë shqiptarët dhe falë këtij pajtimi, ne arritëm qëllimin tonë final. E para ishte lëvizja e tij politike LDK, që është lidhja e dytë më e madhe pas Lidhjes së Prizrenit, e cila i pajtoi dhe i fali shqiptarët pavarësisht çfarë statusi kanë pasur gjatë kohës së ish-Jugosllavisë. Ai i rreshtoi të gjithë bashkë në një ushtri të paqes dhe solidaritetit, drejtë qëllimeve që shqiptarët të jetojnë të lirë dhe të pavarur. E dyta, në kohën kur strukturat e LDK-së, përkundër pjesëmarrjes në struktura ushtarake dhe në luftën çlirimtare direkt, u gjendën në një atak dhe një kërcënim për shpërbërje për shkak të ideologjisë dhe angazhimeve që kishin në vitet 90-ta. Dhe, ishte ai që i pajtoi sërish gjatë dhe pas luftës çlirimtare, jo duke u tërhequr, por duke ecur përpara ngadal dhe i qetë. Këto dy pajtime të mëdha janë themelet e lirisë së Kosovës që nuk mund t’i shemb askush”, ka nënvizuar Haziri. /Telegrafi/

Exit mobile version