Site icon Telegrafi

I lumtur me sukseset që arriti në 2021, Bardhi zbulon bashkëpunimet e të rejat që do të sjellë në vitin 2022

Reperi nga Kumanova, Bardhyl Idrizi apo siç njihet tanimë për audiencën e gjerë, Bardhi, për afro dy vite radhazi ka marrë vëmendje goxha të madhe në estradën shqiptare.

I cilësuar si një nga talentët e rinj e me potencial të madh, artisti i lartpërmendur veçse e ka dëshmuar këtë me këngë, bashkëpunime e koncerte të shumta.

Nisur karrierën në një kohë pandemie me vështirësi e sfida, Bardhi në vitin e kaluar arriti të mbizotëroj në treg me hitet që solli e po ashtu edhe me albumin e parë me plot 20 këngë.

Bardhyl Idrizi-Bardhi

I quajtur “Trëndafil” në mesin, e të cilëve përfshiu artistë ndërkombëtar e vendor, reperi shqiptar e përmbylli vitin me suksese të mëdha.

Për të na treguar më shumë për vitin që e lamë pas, albumin e koncertet që mbajti, Bardhi shpalos të gjitha në një intervistë ekskluzive dhënë për Telegrafin.

Çfarë e karakterizoi vitin 2021, cilat ishin peripecitë e për të rejat që do të sjellë në vazhdim i mësoni më poshtë:

Viti 2021 ka qenë shumë i zëshëm për ju, me projekte, bashkëpunime, album e po ashtu edhe koncerte të shumta? Si e karakterizon këtë vit Bardhi?

“Viti 2021 për mua ka qenë, nëse edhe mund ta quaj si viti më i mirë i jetës time. Këtë vit kam qenë gjatë gjithë kohës në studio, kemi nxjerr afro 32 këngë gjatë tërë vitit, një vit me plot punë dinamike dhe në fund po ashtu edhe pjesa më e mirë ishte suksesi i gjithë kësaj dashurie nga publiku”.

Bardhyl Idrizi-Bardhi

Për vetëm një kohë të shkurtër jeni kthyer në një personazh shumë të komentuar? Si e shihni nga perspektiva juaj?

“Për mua nuk ka qenë synimi kryesor fama dhe për atë nuk është që kam ndryshuar, qëllimi kryesor për mua dhe për ne si SBS Entertainment është që të ofrojmë produkte të mira për njerëzit që na përcjellin, apo thënë ndryshe t’i motivojmë përmes muzikës tonë”.

Nga një person të thjeshtë në një personazh shumë aktiv e të angazhuar? Sa ka ndryshuar jeta e Bardhit në tërësi?

“Rutina më ka ndryshuar në përgjithësi, por kjo ishte gjithmonë jeta që kam dashur ta kem”.

Vitin e kaluar sollët edhe albumin e ri, të parin në karrierë me plot 20 këngë? A jeni i kënaqur me rezultatet, pritshmëritë e këtij projekti madhështor?

“Albumi “Trëndafil” me plot 20 këngë, për mua është nder dhe krenari që ta kem një album në moshë kaq të re, falënderimi më i madh i takon ekipit SBS për punën e palodhshme dhe po ashtu profesionale. Jemi të kënaqur me rezultatet por edhe më shumë kënaqemi me mesazhet e njerëzve që po na dërgojnë çdo ditë, ato janë synimi ynë kryesor, publiku të jetë i kënaqur me punën tonë”.

Cila është gjëja më e vështirë të realizosh një album, keni hasur në ndonjë vështirësi?

“Normalisht albumi kërkon shumë punë dinamike, por vështirësi nuk është se kemi pasur”.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Bardhi

Pse pikërisht në fillimet e juaja vendosët që të sillni një të tillë? A duhet domosdoshmërisht që të përshtatesh në treg për të qenë në formë, meqenëse në 2021 shumë artistë sollën albume?

“Ne kemi për qëllim të sjellim sa më shumë muzikë për dëgjuesit tanë, kjo nuk ka të bëjë me artistët e tjerë apo tregun, por vetëm me synimin që nga fillimi i karrierës”.

Kë nga projektet e veçoni më shumë, cilën këngë apo bashkëpunim e keni më përzemër?

“Pasiqë albumi kishte 18 mysafirë, duke marrë parasysh edhe artistë ndërkombëtar dhe vendor nuk është se mund të veçoj ndonjë më shumë apo më pak, por nga secili artist që ka qenë mysafir jam falënderues, secila këngë përcjell mesazhin e vet për atë nuk mund t’i ndaj”.

Në anën tjetër ishit shumë prezent edhe në koncerte, ku iu pritën më mirë? Çfarë mban mend nga ndonjë performancë e juaja?

“Performancat të gjitha janë të bukura se në çdo qytet sheh njerëz të ndryshëm, dhe është ndjenjë e veçantë kur vijnë aty për aty dhe t’i këndojnë këngët bashkë me ty por që ia vlen të ceket si më e veçantë ishte mbrëmja në vendlindjen time, Kumanovë, ku kishte më shumë se 5.000 njerëz prezent”.

Bardhyl Idrizi-Bardhi

Cilat janë planet e Bardhit për vitin 2022, çfarë iu rezervohet fansave dhe publikut?

“Viti 2022 do të ketë shumë surpriza duke filluar nga janari bashkëpunimi me Azet dhe pastaj kënga tjetër do të vijë në bashkëpunim me Elvana Gjatën dhe DJ Gimi-O”.

Mesazhi apo këshilla për të gjithë ata që iu ndjekin, apo që kanë një admirim të veçantë për ju?

“Mesazhi im për këtë fundvit është ta ruani shëndetin dhe të afërmit e juaj nga kjo pandemi dhe shpresoj që sa më shpejt të kthehemi në normalitet”.

Bardhyl Idrizi-Bardhi

/Telegrafi/

Exit mobile version