Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka kërkuar mbështetje për subjektin e Shaip Kamberit në procesin e ripërsëritjes së votimit të premten në Bujanoctë Bujanocit.
Abdixhiku në Facebook ka ftuar votuesit shqiptarë në Serbi që të mbështesin listën e Shaip Kamberit në këtë ripërsëritje të votimeve.
I pari i LDK-së ka kujtuar se Kamberi është kandidati i vetëm shqiptar që ka mbetur në garë e ka gjasa që të përfaqësojë zërin e shqiptarëve në Luginë.
“Këtë të premte, më 27 maj, Shaip Kamberi dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” për herë të tretë kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në sigurimin e ulëses së vetme përfaqësimi. Si kandidat i vetëm me gjasë për të shtruar e përfaqësuar zërin e shqiptarëve në Luginë, atij i duhet e gjithë mbështetja e votuesve të Qendrës numër 6 në Tërnoc, për të kthyer prapa padrejtësinë e ripërsëritjes së votimit”.
“Prandaj ftoj secilin votues shqiptar në këtë qendër të ripërsëritur, që masivisht, këtë të premte, t’u drejtohen kutive të votimit e të mbështesin Shaipin dhe Koalicionin e Shqiptarëve në Luginë”.
Tutje ai tha se Kamberi ka qenë një zë i vetmuar por i guximshëm në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë, e sipas tij çdo votë për të është votë për zërin shqiptar në Serbi.
“Shaipi është një patriot i madh. Ai ka qenë një zë i vetmuar por i guximshëm në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë. Prandaj, çdo votë për të është votë për zërin shqiptar në Serbi”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku./Telegrafi/