Lumbardh Dellova tash e një kohë është qendërmbrojtësi më i mirë në Superligën e Kosovës, ku me Ballkanin për të dytin vit radhazi është gati të kap fazën e grupeve të Ligës së Konfernecës.
Përzgjedhësi Primoz Gliha sot ka publikuar listën prej 27 futbollistëve që do të jenë pjesë e ndeshjeve të muajit shtator ndaj Zvicrës dhe Rumanisë.
Meriton Korenica, Kreshnik Hajrizi, Andi Hoti, Altin Zeqiri dhe Valon Zumberi janë emrat e rinj të ftuar me ekipin A të Kosovës për këto ndeshje.
Por një emër që ka tri paraqitje me Kosovë, Lumbardh Dellova, nuk është ftuar për këtë ndeshje, ndërsa afrimet e Zumberit dhe Hotit që luajnë në pozitën e tij mund të kenë qenë arsyeja.
Dellova kishte debutuar me Kosovën ndaj Burkina Fasos në miqësore ku luajti 19 minuta në fitoren 5-0 në mars të 2022.
Ai ishte i ftuar për ndeshjet ndaj Irlandës së Veriut dhe Qipros, por nuk luajti fare në ndeshjet e shtatorit të vitit të shkuar.
Por dy muaj më pas ai luajti nga 90 minuta ndeshjet miqësore me Armeninë (2-2) dhe Ishujt Faroe (1-1).
Paraqitjet e tij me Ballkanin në garat ndërkombëtare kanë qenë të nivelit të lartë dhe ftesa për të ishte pritur nga shumë njohës të futbollit.
Kjo pasi Dellova është shumë i fortë në markimet një me një, ka kërcim të lartë dhe është organizator shumë i mirë i lojës.
Një ftesë për 24 vjeçarin që ka bërë karrierë edhe te Hajduk Split do të ishte një motiv i madh për një rrugë të re që mund ta marr në ditët në vijim, apo edhe vitin që vjen. /Telegrafi/