Telegrafi

Pas shtatë muajsh, Lulzim Hetemi del nga objekti komunal për t’u takuar me Erden Atiq

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, të enjten ka dalë nga objekti komunal ku po qëndronte i mbyllur tash e gati shtatë muaj.

I njëjti është takuar me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Kështu kanë konfirmuar për Telegrafin nga kabineti i Hetemit.

“Po, për herë të parë kryetari Lulzim Hetemi ka dalë sot nga objekti komunal. Ka pasur takim me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq”, kanë thënë nga kabineti, duke mos dhënë detaje të tjera.

Lulzim Hetemi fitoi garën për kryetar të Leposaviqit në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në katër komunat në veri më 23 prill të këtij viti.

Ai u ndihmua nga njësia speciale e Policisë së Kosovës që të futej në zyrën e tij, mëngjesin e hershëm të 29 majit, dhe që nga ajo nuk kishte dalë nga objekti komunal.

Hyrja e tij në objektin komunal ishte pritur me protesta nga banorë vendës serbë dhe nga grupe të ndryshme të dhunshme, që kishin sulmuar forcat e rendit dhe gazetarët e mbledhur. /Telegrafi/