Site icon Telegrafi

Luljeta Ademi: Ngjitja në “Trigllav” është histori në vete, kam dashur të përçoj mesazh

Luljeta Ademi në një intervistë për “TM Daily” në Telegrafi Maqedoni ka folur rreth vështirësive në jetën e saj, si dhe sukseset që i ka arritur, sidomos në ngjitje (hiking).

E pyetur për ngjitjen e saj në majën “Trigllav”, ajo tha se kjo histori lidhet ngushtë me shëndetin e saj, si dhe këtë e ka bërë edhe për të përçuar mesazhin: shikoje aftësinë, e jo paaftësinë.

“Trigllavi është një histori në vete. Shumë nga njerëzit që më kanë përkrahur ma kanë bërë këtë pyetje. Trigllavi është i lidhur ngushtë me shëndetin tim. Para një viti unë ballafaqohesha me një sëmundje serioze dhe pasi mora të gjitha dritat e kuqe në vendin dhe institucionet tona, vendosa ta bëjë një terapi krejtësisht tjetër nga ajo tradicionale. Dhe fillova të besoj në çudira dhe mjekësinë alternative. Me ndihmën e profesorit Hetem Ramadani, iu nënshtrova një terapie rigoroze dhe pas dy muajve unë u shërova, por këtë desha të ma konfirmojnë edhe institucionet me kompetenca. Dhe u nisa për Lubjanë ku mora rezultate fantastike”.

“Pas kësaj dëshira ime për male u ringjall sërish. Dhe iu ktheva Trigllavit. Kalova disa ngjitje të rëndësishme, duke e ditur se Trigllavi nuk ishte lojë. Isha në Bjeshkët e Nemura dhe më pas u nisa në Slloveni. Por pa e ditur mirë se çfarë më pret atje. Në fillim u ballafaqova me të panjohurën. Nuk ishte fare e lehtë, shumë kilometra, shumë pjerrtësi, terren shumë i vështirë. Dhe në momentin para majës, kishim edhe tre-katër orë ngjitje, guida më thotë që duhet ta anulojmë ngjitjen, pasi nuk më garantuan për zbritjen time – por unë i thash vetëm një fjalë: unë kam ardhur për ta ngjitur Trigllavin, e kam para hunde dhe nuk dorëzohem”, tha mes tjerash Lujleta Ademi, duke treguar për përvojën e ngjitjes në Trigllav.

Për më shumë ndiqeni videon e plotë me Luljeta Ademin.

Exit mobile version