Në ditën e katërt të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidentja e vendit, Vjosa Osmani u takua me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel.
Osmani në një postim në Facebook shkruan se është rikonfirmuar mbështetja e Luksemburgut për liberalizimin e vizave.
“Takova kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, i cili na e rikonfirmoi mbështetjen e Luksemburgut për liberalizimin e vizave dhe për perspektivën evropiane të vendit tonë”, shkruan ajo.
Presidentja më tej njofton se me ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto biseduan për thellimin e bashkëpunimit.
“Çmuam raportet e mira ndërmjet dy vendeve dhe theksuam se lidhjet mes popujve tanë janë të hershme dhe përkojnë me synimet e popujve tanë për t’i mbrojtur dhe promovuar vlerat evropiane”.
Osmani po ashtu ka takuar ambasadorin Frank Visner, të cilin e falënderoi për kontributin e tij për Kosovën.
“Me pas takova presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe kryesuesin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq, me të cilët biseduam për të ardhmen e përbashkët evropiane të shteteve tona dhe sfidat me të cilat po përballet rajoni.
Poashtu u takova më Përfaqësuesen speciale të Kombeve të Bashkuara për çështje të gjenocidit.
Në mbrëmje u takuam me mërgatën tonë. Mërgata ishte pjesë përbërëse e jetësimit të ëndrrës për shtetin. Sot ajo është pjesë po kaq e rëndësishme e konsolidimit të tij.
Gjithnjë mirënjohëse për përkushtimin e tyre ndaj vendit”, shkruan ajo. /Telegrafi/