Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka nënshkruar një ligj të ri me anë të së cilit i jep vetes imunitet të përjetshëm nga ndjekja penale, dhe parandalon opozitarët që jetojnë jashtë vendit të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme.
Ligji teorikisht do të duhej të zbatohet për çdo ish-president dhe anëtarë të familjes së tij ose saj, por në realitet do të praktikohet vetëm për Lukashenkos, i cili ‘sundon’ në Bjellorusi gati 30 vjet.
Kjo masë e re synon të forcojë më tej pushtetin e presidentit bjellorus, dhe të eliminojë sfiduesit e mundshëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2025.
Lukashenko është i akuzuar për përfshirje në transferimin e paligjshëm të fëmijëve nga qytetet ukrainase.
Por, sipas ligjit të ri, ai nuk mbahet përgjegjës për veprimet e kryera, dhe do t’i sigurohet mbrojtje gjithë jetën atij dhe familjes së tij.
Me qeverisjen e tij nuk janë të kënaqur as qytetarët bjellorusë, dhe këtë e kanë treguar protestat masive të vitit 2020, gjatë të cilave u arrestuan 35 mijë persona.
Udhëheqësja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, tha se Lukashenko duhet të shqetësohet për atë që do t’i ndodh kur të largohet nga pushteti.
“Lukashenko, i cili shkatërroi fatet e mijëra bjellorusëve, do të ndëshkohet sipas ligjit ndërkombëtar dhe asnjë imunitet nuk do ta mbrojë atë kundër kësaj. Është vetëm çështje kohe”, deklaroi ajo.
Ndryshe, opozita gjithashtu po kërkon hetime për zhdukjen e politikanëve opozitar dhe fëmijëve ukrainas. /Telegrafi/