Deputetja e LSDM-së, Sanja Lukarevska njofton se partia e saj po propozon zgjidhje ligjore që do t’u ndihmojë punëtorëve dhe kompanive, por edhe të hyra shtesë për Buxhetin.
Sipas saj, projektligji do t’u mundësojë punëdhënësve në sektorin privat që punëtorëve të tyre t’i rrisin pagat për 3 mijë deri në 15 mijë denarë, pa pasur nevojë të paguajnë kontribute për atë pjesë të shtuar.
“Kontributet pensionale, shëndetësore dhe shoqërore do të ngrihen në mesataren e 3 pagave të fundit të paguara të punonjësit. Kjo ngrirje është i vlefshëm për një periudhë njëvjeçare, që do të thotë se punëdhënësit nuk do të kenë barrë shtesë financiare gjatë rritjes së pagave. Cilat kompani dhe për cilët punëtorë mund të përfitojnë përjashtim? Për punëtorët për të cilët kompanitë paguajnë pagë neto që nuk është më e lartë se 65.380 denarë… Janë rreth 400 mijë punëtorë të tillë që do të mund të merrnin të ardhura më të larta pa shpenzime të shtuara për kompanitë. Nëse shifrat i përkthejmë në shembuj: Nëse rritja mesatare e pagave është 7.500 denarë për 400.000 të punësuar, atëherë rritja totale e pagave në nivel vendi do të ishte 585 milionë euro”, tha Lukarevska.
Realisht, shtoi deputetja, do të thotë që punëtorët marrin paga më të larta, kompanitë nuk ngarkohen me kosto shtesë, gjë që i nxit ata të investojnë tek punonjësit e tyre dhe shteti merr të ardhura më të mëdha pa futur taksa të reja apo pa rritur shpenzimet buxhetore./Telegrafi/