Telegrafi

Lukaku protagonisti kryesor, Interi mposht Lazion dhe bëhet lider në Serie A

(Foto: Twitter/Inter)

Interi ishte bindës në fitoren prej 3-1 kundër Lazios në ndeshjen e xhiros së 22-të në Serie A dhe është ngjitur në krye të tabelës së kampionatit italian.

Rezultati i zhbllokua pas 24 minutash lojë, kur gjyqtari akordoi penallti në favor të zikaltërve për një ndërhyrje në zonë.

Përgjegjësinë e mori Romelu Lukaku, i cili arriti ta mposhtte Pepe Reinan nga pika e bardhë.

Në fund të pjesës së parë (45’), sulmuesi belg shënoi edhe golin e dytë personal që fillimisht u dyshua për pozitë jashtë lojë, por pas konsultimit të VAR-it, goli u pranua si i rregullt.

(Foto: Twitter/Inter)

Biancocelestët e ngushtuan rezultatin kur Gonzalo Escalante e devijoi topin në portën e Samir Handanovic (62’).

Por, reagimi i Nerazzurrëve ishte i shpejtë dhe Lautaro Martinez e shënoi golin e tretë (64’), ndërkohë që të gjithë punën e kreu Lukaku, i cili e dhuroi asistimin.

Kjo fitore e ka ngjitur Interin në krye të tabelës së Serie A me një pikë më shumë se Milani, për më shumë para derbit të madh – Derby della Madonnina që zhvillohet në javën e ardhshme.

Lazio ndodhet në vend të shtatë me 40 pikë, mirëpo vendi i katërt është vetëm dy pikë më lart. Vedat Muriqi u inkuadrua në lojë nga minuta e 69-të, por nuk arriti t’i ndihmonte skuadrës që t’i ndryshonte gjërat. /Telegrafi/

Standings provided by SofaScore LiveScore