Telegrafi

Lukaku: Mourinho nuk i pati lojtarët që i kërkoi te Unitedi

Romelu Lukaku dhe Jose Mourinho (Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

Jose Mourinho do të kishte suksese të mëdha te Manchester Unitedi nëse klubi do t’ia blinte lojtarët që ai i kishte kërkuar – ka thënë sulmuesi belg, Romelu Lukaku.

Strategu portugez i drejtoi Djajtë e Kuq në periudhën 2016-2018, ndërsa Lukaku ishte transferuar në verën e vitit 2017 për 75 milionë funte (90 milionë euro).

Gjatë kohës sa Mourinho ishte trajner te Unitedi u transferuan edhe futbollistë, si Paul Pogba e Victor Lindelof. Mirëpo, ishte raportuar se asokohe bordi i klubit i kishte bllokuar transferimet e disa lojtarëve tjerë që i kishte kërkuar trajneri.

Romelu Lukaku odhe Jose Mourinho kur ishin pjesë e Manchester Unitedit (Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

I pyetur nga Sky Sports se cilët janë trajnerët qe e kanë nxjerrë më të mirë nga ai, sulmuesi i Interit ka thënë: “Mendoj se Roberto Martinez, Ronald Koeman dhe tash Antonio Conte”.

“Mendoj që Jose Mourinho – në rast se do t’i kishte lojtarët që i ka kërkuar, do të bënte shumë më mirë ngaqë arriti”, ka deklaruar Lukaku, i cili ka përmendur edhe trajnerët, si Ariel Jacobs e Steve Clarke që i kanë ndihmuar në ndërtimin e karrierës. /Telegrafi/