Romelu Lukaku nuk është duke kaluar nëpër një formë të mirë këtë sezon.
Por sulmuesi belg ka shpërthyer në ndeshjen e parë të kampanjës kualifikuese me tre gola të shënuar.
29-vjeçari shkëlqeu me fanellën e kombëtares së tij, duke realizuar tre gola në fitoren 0-3 në udhëtim te Suedia.
“Nuk ishte një ndeshje e lehtë, por ne jemi të kënaqur. Luajtëm mirë. Jam shumë i lumtur që munda të luaj kaq shumë minuta dhe t’i tregoj botës se çfarë mund të jap”.
“Ndjehem si një pikë referimi te kjo Belgjikë. Gjatë stërvitjes u përpoqa të përfshija të rinjtë dhe t’u tregoja atyre se puna e palodhur jep gjithmonë rezultat”.
“Nuk do të kishte kuptim t’i bërtisja apo t’i keqtrajtoja. E di se çfarë do të thotë debutim sepse isha në vendin e tyre disa vite më parë. Të gjithë bënë mirë dhe tani ne mund të festojmë, ndonëse nga e hëna fokusi duhet të jetë te Gjermania. Ne mund të fitojmë”, tha Lukaku.
Tutje sulmuesi belg foli edhe për trajnerin e ri, Demenico Tedesco, duke thënë se me të luajnë lojë sulmuese.
“Ne luajtëm një lojë më sulmuese me të. Nuk kishte shumë kohë për të punuar, por jam i lumtur. Ndryshimi nuk është gjë e keqe, nëse mbështetet nga rezultatet”, përfundoi Lukaku. /Telegrafi/