Site icon Telegrafi

Luiza Gega: Ky sukses nisi nga një dështim i madh 12 vite më parë, do të doja të isha edhe njëherë 20 vjeç

E emocionuar dhe e prekur nga pritja që iu rezervua, Luiza Gega mbajti fjalën e rastit në kryeministri, teksa e nisi me një falënderim për të gjithë njerëzit që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim, nga familja e trajneri, deri te sponsorët e paktë që besuan te ajo.

“Ndihem më e emocionuar se kurrë dhe vendosa të vij e veshur me ngjyrat kuqezi, pasi ndihem më krenare se kurrë. Vij nga një vend i vogël dhe doja të tregoja se me punë, ne mund t’ia dalim kudo dhe kurdo. Dua të falënderoj njerëzit që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim, duke nisur nga familja ime, që e kam bërë krenare, trajneri që më ka ndihmuar të arrij këtu. Falënderoj edhe kryeministrin për ceremoninë, e ambasadoren e BE-së për pjesëmarrjen. Faleminderit ministres së Sportit, që me ligjin e ri më ka motivuar shumë më tepër. Faleminderit kryetarit të bashkisë, që më ka qëndruar shumë pranë dhe ka shfaqur interes të vazhdueshëm, edhe kur stërvitesha në Kenia. Sporti nuk do t’ia dijë për politikë, por ka si synim të ngrejë larg flamurin e vendit. Falënderoj gjithashtu edhe shokët e kolegët e mi, si Izmir Smajlaj, Briken Çalja, Erkand Qerimaj, etj., që më kanë mbështetur dhe motivuar me sukseset e tyre. Falënderoj kreun e KOKSH-it, që na ka siguruar një mbështetje të cilën nuk e kishim pasur kurrë më parë. Falënderoj edhe ata që më kanë mbështetur në aspektin financiar, ndonëse sponsorët kanë qenë të paktë”, tha Gega.

Më pas Kampionia e re e Europës zbuloi një histori mjaft të veçantë, që ka ndodhur 12 vite më parë dhe që shërbeu si pikënisje për suksesin e saj.

“Rreth 12 vite më parë përfaqësova Shqipërinë në një Kampionat Europian në Paris dhe dola e fundit, e veshur me fanellën kuqezi. Aty u ndjeva shumë keq dhe fola me trajnerin, të cilit i thashë se nuk do ta përfaqësoj më kurrë vendin tim në këtë formë. Natyrisht nuk mendoja titullin kampion, por të paktën një përfaqësim dinjitoz. E dinim që do të ishte një rrugëtim i vështirë dhe i stërmundimshëm, por nisëm bashkë me trajnerin të bëjmë hapa jo të mëdhenj, por të sigurt, duke thyer rekorde kombëtare, më pas të dominoj në Ballkan, në Mesdhe, etj., deri sa arrita të fitoj këtë Kampionat Europian. Krahas suksesit ka qenë edhe pjesa e errët, si dëmtimet që më kanë ngadalësuar, por nuk më kanë ndalur. Kam pasur edhe oferta për të përfaqësuar vendet e tjera, por kam besuar gjithmonë te vendi im dhe jam krenare që kam përfaqësuar ngjyrat kuqezi. Sot kemi ende shumë gjëra për të përmirësuar, por natyrisht që kemi mbështetje shumë më të madhe dhe tani i them shpesh trajnerit, ah sikur të isha edhe njëherë 20 vjeçe, që të rritesha në këto kushte”, tha Luiza Gega.

Në fund Kampionia shqiptare e Europës pati edhe një mesazh falënderues për fansat, por edhe për të rinjtë.

“Falënderoj në fakt të gjithë njerëzit që më kanë shprehur një afeksion të jashtëzakonshëm këto ditë, duke më shkruar e përgëzuar. Gjithashtu shpresoj që të jem një shembull për të gjithë të rinjtë, që duke dëgjuar historinë time, të besojnë se mund t’ia dalin, nëse e duan suksesin dhe i duan këto ngjyra”, mbylli fjalën e saj Luiza Gega. /ss/

Exit mobile version