Telegrafi

Luiza Gega, e mërzitur që nuk fitoi medalje në Berlin

Luiza Gega (Foto: Getty Images)

Atletja shqiptare, Luiza Gega, bëri një paraqitje fantastike në finalen e 3.000 metrave me pengesa për femra, në Evropianin e zhvilluar në Berlin, por gjithsesi nuk arriti të shpërblehej, pasi mbeti jashtë podiumit në këtë garë.

29-vjeçarja e mbylli garën në vendin e katërt, edhe pse ishte gjatë gjithë kohës në vendet e para dhe në luftë për të siguruar një vend në podium duke u dorëzuar vetëm në çastet e fundit të garës.

Vet Luiza nëpërmjet një postimi në Facebook ka shprehur keqardhjen për këtë garë, ku ajo priste të merrte diçka më shumë.

“Kampionati Evropian i Berlinit u mbyll me vendin e katërt, edhe pse luftova deri në fund për medalje. Isha kaq afër, por nuk arrita dot ta marr”.

“Të them të drejtën jam e mërzitur, sepse besoja shumë të isha në zonën e medaljeve, por fati nuk ishte me mua sot”, ka shkruar Gega, transmeton TCH.

Lexo po ashtu Lajmet për Luiza Gegën

Por, atletja, ashtu sikurse e theksoi edhe vet, ka shumë arsye për të qenë krenare.

Paraqitjet e saj gjatë këtij viti kanë qenë fantastike, pasi përveç medaljes së artë të fituar në 3.000 metra me pengesa në Lojërat Mesdhetare, ajo ka vendosur edhe rekord kombëtar.

Luiza Gega thekson se ndihet në formë dhe më e fortë sesa kurrë, për garat që janë në javët e muajt e ardhshëm të vitit 2018.