Atletet shqiptarë, Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj kanë fituar përsëri medalje të arta në disiplinat që ata përfaqësojnë në atletikë.
Luiza Gega shpallet kampione në garën e 3000 metrave në turneun e sallave të mbyllura që u zhvillua në kryeqytetin e Turqisë, Stamboll, duke e kaluar e para finishin me kohën 9 minuta e 6 sekonda.
Atletja shqiptare e distancave të mesme rrëmbeu medaljen e artë në këtë disiplinë, ku shfaqi superioritetin ndaj rivaleve të saj.
Ky është një tjetër sukses i madh i arritur nga atletja shqiptare në turneun ballkanik “Istanbul Indoor”, teksa një vit më parë në të njëjtin turne rrëmbeu medaljen e artë në garën e 1500 metrave me kohën 4:06:65, që është edhe rekordi kombëtar në këtë disiplinë.
Tjetër medalje e artë për Shqipërinë në kampionatin ballkanik të sallave të mbyllura që po zhvillohet në Stamboll të Turqisë u fitua edhe nga meshkujt.
Pas Luiza Gegës, që fitoi të artën në garën e 3000 metrave me kohën 9 minuta e 6 sekonda, në shkallën më të lartë të podiumit u ngjit edhe Izmir Smajlaj.
Atleti shkodran i kërcimit së gjati kërceu 7 metra e 80 centimetra, duke mbrojtur titullin kampion që fitoi një vit më parë në Beograd.