Menaxheri i Chelseat, Antonio Conte, është i kënaqur me mentalitetin e repartit të mbrojtës së skuadrës së tij.
Blutë e Londrës janë duke kaluar nëpër një sezon fantastik dhe janë të rrugë të mirë për ta fituar titullin e kampionit në Ligën Premier.
Strategu italian e ka lavdëruar formën e skuadrës së tij, por atë e kënaq më shumë mbrojtja, teksa ka vendosur ta lavdërojë pikërisht David Luizin.
“Të gjithë janë duke luajtur mirë. Luiz po luan me një dhimbje të vogël në gju, por ai është një luftëtar”, ka deklaruar ish-trajneri i Juventusit.
Në verën e kaluar, braziliani u ribashkua me Chelsean. Londinezët paguan 34 milionë funte për të siguruar shërbimet e tij dhe ai ka nënshkruar deri në vitin 2019.
Për herë të parë, Luiz u transferua te klubi anglez në janar të vitit 2011 nga Benfica, ndërsa Blutë paguan 25 milionë euro për të. Asokohe, ai nënshkroi kontratë prej pesë vjet e gjysmë.
Megjithatë, nuk e respektoi deri në fund kontratën, pasi Chelsea mori një ofertë të majme nga Paris Saint-Germaini. Luiz u bë mbrojtësi më i shtrenjtë në histori duke nënshkruar për kampionin francez në vitin 2014 për 50 milionë funte. Atje nënshkroi kontratë pesëvjeçare.
Sidoqoftë, qëndroi vetëm dy vite dhe u rikthye në Stamford Bridge për 34 milionë funte. Kontrata aktuale zgjat tre vite. /Telegrafi/