Luiz Ejlli, fenomeni i edicionit të dytë të “Big Brother VIP Albania”, është zgjedhur si fytyra e re e kompanisë së njohur të pijeve energjike “Golden Eagle”.
Partneriteti u zbulua sot (e hënë) gjatë një konference për media, ku u shpalosën detajet e këtij bashkëpunimi ndërmjet këngëtarit shkodran dhe brendit të njohur vendor.
Lendrit Palushi, përfaqësuesi i “Golden Eagle”, bëri njoftimin zyrtar duke zbuluar se Ejlli ishte zgjedhja e konsumatorëve dhe fansave të këngëtarit, me kërkesat e vazhdueshme që ta kenë Luizin si imazh të pijes.
“Pijet me imazhin e këngëtarit do të dalin në treg në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni që nga dita e sotme, me plane për t’u përhapur më pas në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani të Madhe dhe, në varësi të kërkesave, edhe në vende të tjera”, tha ndër të tjerash Palushi.
Luiz Ejlli shprehu kënaqësinë e tij për këtë rol të ri dhe vlerësoi faktin që do të jetë fytyra e një linje të re produkti, duke u shfaqur jo vetëm në reklama por edhe në ambalazhin e pijes.
“Për mua është një herë kënaqësi. Të jem imazhi i Golden Eagle, aq më tepër të jem edhe në kanaçe, domethënë dhe e kam për nder që jam ambasador i saj”, u shpreh Ejlli.
Gjatë bashkëpunimit, Ejlli do të jetë jo vetëm në reklama dhe promovime, por edhe në kanaçet e pijeve, duke shtrirë kështu prekjen e tij artistike në një tjetër sferë të tregut. Ky hap iu afron më shumë këngëtarit me fansat dhe konsumatorët e pijeve energjike, të cilët tashmë e shohin si një figurë pozitive dhe inspiruese.
Me rrugëtimin e tij të ri me “Golden Eagle” dhe SBS Entertainment, Luiz Ejlli është gati të japë më shumë energji pozitive dhe të ndërtojë një lidhje më të ngushtë midis artit, muzikës dhe konsumatorëve të pijeve energjike. /Telegrafi/