Site icon Telegrafi

Luftoi 11 raunde, u rrëzua dy herë dhe e rrëzoi dy herë Wilderin – Tyson Fury pati energji që të dilte dhe të vallëzonte pas meçit

(Fotomontazh: Daily Mail)

Tyson Fury është xhiruar duke festuar në pasndejën në Las Vegas, pas triumfit sensacional në trilogjinë epike kundër Deontay Wilder.

Gypsy King e nokautoi rivalin e tij në raundin e 11-të, edhe pse paraprakisht ishte rrëzuar dy herë nga Bomberi i Bronztë, por edhe e kishte rrëzuar po ashtu kundërshtarin gjatë meçit.

Boksieri britanik e kompletoi trilogjinë në mënyrë spektakolare duke mbrojtur titullin WBC dhe atë Ring Magazine.

Njëherësh, ai e konfirmoi dominimin e tij kundër Wilder me dy fitore dhe një barazim nga tri meçe, si edhe vazhdon të jetë boksieri i vetëm i pamposhtur në kategorinë e peshave të rënda nga të mëdhenjtë e kësaj kategorie.

Lexo po ashtu Fury rrëfen se ishte lënduar kur e rrëzoi Wilderin për herë të parë gjatë meçit

Përkundër duelit rraskapitës, Fury ka pasur energji që të niset drejt klubit të natës Hakkasan që ndodhet pranë MGM Grand Arena, ku është parë duke vallëzuar në skenë.

Ai është paraqitur i zhveshur në pjesën e sipërme para qindra të pranishmëve duke mbajtur në dorë një birrë dhe duke festuar.

Së bashku me ekipin e tij, Tyson e ka kënduar hitin e grupit “Queen”, “We Are The Champions”, ndërsa e pranishme në ndejë ishte edhe gruaja e tij, Paris. /Telegrafi/

Exit mobile version