Site icon Telegrafi

Luftimi i pastrimit të parave në Kosovë, cilat janë kapacitetet e shtetit?

Pastrimi i parave nuk e ndihmon një shtet të zhvillohet, madje ndikon që të zhvillohen grupet e krimit të organizuar dhe inflacioni.

Kështu ka vlerësuar Fatmir Karaliti nga Policia e Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova ka zhvilluar legjislacionin dhe institucionet për ta luftuar dukurinë e pastrimit të parave.

Në një intervistë për KallxoPernime, ai ka thënë se në sektorin e ndërtimeve ka dyshime që grupet e caktuara përpiqen të pastrojnë para.

“Në analizat që i bënë Policia e Kosovës sektorët më të targetuar janë ndërtimi, mund të jenë patundshmëritë, por në raste specifike kemi edhe veprimtari që ofrojnë shërbime të natyrave të ndryshme” – ka thënë Karaliti.

“Zakonisht janë forma të ndryshme që përdorin grupet kriminale, ata futen si aksionar në biznese, që mund të quhen të ligjshme, por zakonisht kjo bëhet me anë të investimeve me pare kesh, në formë të huazimeve e forma të tjera” – tha ai.

Tutje, zyrtari policor për hetimin e pastrimit të parave ka thënë se bizneset e Call-Center në Kosovë janë vështirë të hetohen për pastrim të parave.

“Vepra e pastrimit të parave ka impakt të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik të një vendi, rritë inflacionin, bënë çrregullim të stabilitetit ekonomik të një vendi dhe kjo jep sinjal të qartë. Futja e parave të krimit e destabilizon tregun, por rritja e çmimit ndikohet edhe nga faktor por neve na ka ngritë alarmin që të orientohemi edhe nga ngritja e çmimeve” – ka thënë Fatmir Karaliti nga Policia e Kosovës.

“Veprimtaria e call center është vështirë të mbikëqyret, sasia e punëve të kryhet dhe personat që dëshirojnë të bëjnë pastrimin e parave është e lehtë me anë të deklarimit të punëve që deklarojnë sepse ato kryejnë punë jashtë shtetit. Në këto raste kemi me mbi deklarim të fitimit tek këto raste” – vlerësoi ai.

Sipas tij, luftimi i dukurisë së pastrimit të parave ndihmon në zhvillimin e një shoqërie.

“Kemi arsyeshmëri të njerëzve duke thënë, se ne po i japim para buxhetit të shtetit, por buxhetit të shtetit nuk i nevojiten para të pista, buxhetit i vyjenë para që janë të ligjshme” – ka deklaruar Fatmir Karaliti.

“Në asnjë mënyrë pastrimi i parave nuk e ndihmon zhvillimin ekonomik, pastrimi i parave e ndihmon vetëm zhvillimin e organizatave kriminale, të cilat në një të ardhme do të na rrezikojnë sigurinë nacionale. Nëse i luftojmë pastrimin e parave do të kemi një shoqëri të zhvilluar. Asnjë shtet nuk zhvillohet duke marrë për bazë pastrimin e parave” – vlerëson zyrtari policor.

Exit mobile version