Site icon Telegrafi

Luftëtarët serbë të paguar nga forcat proruse në Ukrainë, përshëndesin politikanët në Beograd nga vija e frontit (Video)

Afro 300 serbë luftojnë përkrah forcave proruse në Donbass kundër ushtrisë ukrainase, kurse rrugën për në Donjeck që e kalojnë nga Moska, ua paguan organizata ruse “Fronti i Kosovës”, shkruan Rel.

Organet e sigurisë së Ukrainës u kanë dorëzuar autoriteteve serbe të dhënat për qytetarët e këtij vendi që luftojnë në Donbass, por reagime zyrtare nga ana e Beogradit nuk ka pasur deri më tani, transmeton Telegrafi.

Në një video të publikuar së fundmi, ata u dërgojnë përshëndetje familjarëve dhe liderëve të Serbisë nga vija e parë e frontit, duke treguar me krenari se prej nga vijnë.

“Përshëndetje për kryeministrin serbë nga vëllezërit rusë”, dëgjohet një luftëtarë serb duke thënë para objektivit të kamerës.

Kurse një bashkëluftëtarë i tij nga forcat proruse, falënderon Serbinë që u ka dërguar luftëtarë të shkathët.

Igor Guskov, bashkëpunëtor nga zyra qendrore e SBU-së, ka deklaruar se në vitin 2014 i kishin dërguar Beogradit zyrtar të dhënat e luftëtarëve serbë që operojnë në Ukrainë, si dhe në vitin 2017, por deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare.

Ata kanë udhëtuar me aeroplan nga Beogradi në Moskë, ku nga aty më pas kanë vazhduar rrugëtimin me autobus deri në Donjeck. Prapa këtij udhëtimi qëndron organizata “Fronti i Kosovës”. Kjo organizatë ruse vepron në Ballkan.

Politologu Veniclsav Bujiq, ka thënë se në Serbi veprojnë qindra organizata të ngjashme, lëvizje e liderë.

Megjithatë, lidhur me pyetjen se pse qytetarët serbë luftojnë në vende të huaja, përgjigjen disa prej atyre që kanë shkuar në vijën e parë të frontit.

“Po të mos ishte Rusia, Serbia nuk do të ekzistonte si shtet. Kemi gjakun e njëjtë, besimin dhe jemi një komb”, ka deklaruar një luftëtarë serb në Ukrainë.

Të gjithë serbët që janë paguar për të luftuar në Ukrainë, kanë pothuajse të njëjtën përgjigje, duke u munduar të arsyetohen se po mbrojnë “vëllezërit” e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version