Telegrafi

‘Luftë’ në distancë në mes të trajnerit të Napolit dhe agjentit të Hysajt

Elseid Hysaj nuk u aktivizua për asnjë minute në ndeshjen që Napoli humbi ndaj Besiktasit.

Pas ndeshjes trajner Maurizio Sarri dha shpjegimin e tij për lënien në stol të mbrojtësit të Kombëtares shqiptare.

“Hysaj mu duk i lodhur në aspektin psikologjik, nuk e shihja maksimalisht të përqendruar. Për mendimin tim nuk ishte e udhës që ai të luante dhe për këtë arsye vendosa të hedh në fushë Maxhon”.

Kjo deklaratë e Sarrit ka sjellë edhe reagimin e menaxheri të Hysajt, që shprehet në Radio CRC se klienti i tij nuk është i shpërqendruar, por thjesht ndihet pak i lodhur nga aktivizimi me Shqipërinë.

“Unë jam në kontakt gjithë kohën me lojtarët e mi dhe mund ta dalloj kur njëri prej tyre ka probleme. Unë nuk jam budalla, dhe kur lojtari im ka një problem, unë nuk pretendoj që nuk ka. Nuk pajtohem kategorikisht me fjalët e Sarrit. Hysaj nuk ka probleme psikologjike”.

“Ai është i qetë, i ekuilibruar, dhe mendërisht një djalë i fortë. Hysaj ka një karakter të fortë dhe nuk është në vështirësi, por është vetëm pak i lodhur për shkak se ka luajtur dy ndeshje me Shqipërinë. Problemet mendore janë jashtë karakterit të Hysajt.”

“Ai është pjesë e ekipit, dhe si të gjithë lojtarët e Napolit po kalon një periudhë të vështirë. Edhe Jorginho nuk po kalon një periudhë të mirë, dhe kjo vjen prej formës së dobët të ekipit”, ka thënë agjenti i lojtarit.