Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerare (KOMM) ka kërkuar ndihmën e inspektorëve të komunave Mitrovicë e Vushtrri për t’i luftuar operatorët ilegalë të thëngjillit, rërës, zhavorit dhe resurseve të tjera. KPMM-ja ka identifikuar operatorët ilegalë në Vushtrri, ndaj të cilëve janë marrë masa ndëshkuese, ndërsa deri me tani janë shqiptuar 250 mijë euro gjoba
Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerare i ka dalë punë me shfrytëzuesit ilegal të thëngjillit në komunat Mitrovicë dhe Vushtrri, ndonëse ndaj operatorëve ilegalë, të cilët janë zënë duke nxjerrë thëngjill, rërë e zhavorr janë ndërmarrë masa ndëshkuese konform ligjit, shkruan Zëri.
Kryeinspektori i Minierave, Fatmir Gërguri, ka thënë se deri me tani janë shqiptuar dënime në vlerë prej rreth 250 mijë euro ndaj operatorëve ilegalë të thëngjillit dhe të resurseve të tjera.
Ai ka vlerësuar se për ta parandaluar këtë dukuri kërkohet ndihma e institucioneve komunale, në veçanti e inspektorëve komunalë për parandalimin e operatorëve ilegalë të shfrytëzimit të thëngjillit, zhavorit dhe resurseve të tjera në territorin e komunave Mitrovicë dhe Vushtrri. /Zëri/Telegrafi/