Negociatat midis peshkatarëve britanikë dhe francezë për t’i dhënë fund “luftërave” në kanalin “La Manche” kanë ngecur dhe zgjidhja duket e largët.
Udhëheqësit e industrisë po punonin për të rënë dakord për kompensimin e marinarëve në Mbretërinë e Bashkuar për t’i parandaluar ata që të hidhnin rrjetat për molusqe dhe butakë në një territor të diskutueshëm gjatë një periudhe kur francezët janë të ndaluar sipas ligjit vendas.
Por të mërkurën u njoftua se bisedimet kishin përfunduar pa një marrëveshje, duke rrezikuar një kthim në përplasjet e fundit mes palëve që ndodhën në Baie de Seine në veri të Normandisë, ku peshkatarët hodhën gurë në drejtim të varkave të njëri-tjetrit.
Shoqata Skoceze e Prodhuesve të Peshqve të Bardhë tha se ishte “zhgënjyese për të gjithë”, duke shtuar: “Askush nuk dëshiron të shohë konflikt në det të hapur”.
Ministri francez i ushqimit dhe bujqësisë, Stephane Travert, tha se “i vjen keq” për dështimin, por shtoi se ai “përshëndet” përpjekjet e peshkatarëve francezë për të “propozuar kompensim të arsyeshëm”.
Bisedimet u mbajtën në të dy anët e kanalit, pasi problemet u ndezën gjatë javëve të fundit, përcjell gsh.
Rreth 35 anije franceze u përballën me pesë anije britanike në brigjet e Francës veriore, ku përleshja ishte vërtet e rëndë, me tymuese, flakadanë dhe gurë që u hodhën në anijet e Mbretërisë së Bashkuar.
Anijet britanike mund të peshkojnë ligjërisht në Baie gjatë gjithë vitit, por francezët nuk lejohen të hyjnë aty midis 15 majit dhe 1 tetorit për të ruajtur stoqet.
Baza e një marrëveshjeje u formua në Londër javën e kaluar, me anije të vogla në Mbretërinë e Bashkuar që premtuan të mos peshkonin në fushën e mosmarrëveshjes gjatë periudhës që ligjet franceze pengojnë homologët e tyre.
Por ekipet britanike nuk donin të humbisnin financiarisht dhe një paketë kompensimi u diskutua, por çmimi duket se ka qenë shumë i lartë për francezët.