Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha ka reaguar pasi Qeveria Kurti ka marrë meritat për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.
Qeveria Kurti përmes një komunikate kanë pohuar se liberalizimi i vizave tashmë është realitet, dhe se falë punës së tyre është zhbllokuar ky proces.
Shasha thotë se edhe nëse LVV pretendon se kanë përmbushur kriterin për sundimin e ligjit, 94 kriteret tjera janë plotësuar nga dikush tjetër, transmeton Telegrafi.
“Është misterioze kjo mungesë e zemërgjerësisë së Qeverisë. Edhe nëse shkojmë në ekstrem dhe e pranojmë pretendimin e VV-së se fal punës së tyre u përmbush një kriter i mbetur (sundimi i ligjit), prapë mbesin 94 kritere të tjera të cilat ata nuk i kanë përmbush, por dikush tjetër”, thotë ai.
Ndër të tjera, Shasha shkruan se “Dita sikur kjo e sotme duhet të jetë ditë përbashkuese dhe festive e gjithë spektrit politik”.
“Barra e zgjatjes së dorës është çdo herë mbi shumicën”.
Parlamenti Evropian i tha sot po liberalizimit të vizave të Kosovës, duke e përmbyllur kështu këtë proces të stërzgjatur për qytetarët e Kosovës.
Miratimi i liberalizimit të vizave për Kosovën nga Parlamenti Evropian u bë pa votim pasi nuk kishte asnjë kundërshtim. Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola tha se nuk ka marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave.
Ndryshe, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi të mërkurën do të udhëtoj drejt Strasburgut, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të vendimit për heqjen e vizave. /Telegrafi/