Site icon Telegrafi

Lufta kundër shkretëtirës, Afrika ndërton murin e madh të gjelbër – do të jetë 8 mijë kilometra i gjatë

Derisa presidenti amerikan Donald Trump është duke u lavdëruar me ndërtimin e murit përgjatë vijës kufitare me Meksikën, për një mur tjetër i cili do të duhej të jetë i gjatë 8 mijë kilometra, mund të mos keni dëgjuar.

Projekti “Muri i madh i gjelbër” ka filluar në Afrikë për shkak të ndryshimeve klimatike. Ai do të mbulojë një territor prej 100 milionë hektarë në të cilën do të mbillen pemë që do të shtrihen nga fillimi e deri të fundi i një kontinenti, më saktësisht nga Senegali deri në Xhibut, transmeton Telegrafi.

Kjo ide zyrtarisht është miratuar qysh në vitin 2005, kurse vëmendje të madhe mori në vitin 2007. Muri i madh i gjelbër (dikur i quajtur si Muri i Madh i Afrikës) është një iniciativë që ka për qëllim të luftojë dezertimin në rajonin  Sahel (Afrika e Veriut) si dhe ndryshimet klimatike në gjithë botën. Gjithashtu për qëllim ka që deri në vitin 2030, ky mur të ndalë zgjerimin e rreth 250 milionë tonelata të dyoksid karbonit.

Sahara është duke u zgjeruar aq shumë sa që shumë fise dhe popuj që kanë jetuar prej shekujsh janë duke u zhdukur. Temperaturat po rriten çdo vit, së bashku me to po rritet ndjeshëm edhe brenga e banorëve. E falë këtij projekti, punë do të kenë rreth 10 milionë njerëz, e ajo çfarë është më e rëndësishme, të gjithë banorët e kësaj zone do ta kenë “sigurinë e gjelbër”.

Projekti ekologjik ka marrë shumë lëvdata dhe është bërë frymëzim për shumë projekte tjera në mbarë botën. Në mesin e tyre është diga e gjelbër, program për ripyllëzimin, mbrojtjen dhe zhvillimeve e rajoneve të Presahranit, si dhe muri i gjelbër kinez që synon të ndalë zgjerimin e shkretëtirës në Gobi.

Kanë kaluar 12 vite nga fillimi i programit, dhe që nga atëherë ka pasur shumë përparime. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, 20 milionë hektarë tokë është ripërtërirë (20 për qind e territorit të synuar) në Etiopi, Senegal, Nigeri, Sudan, Burkina Faso, Mali, Nigeri dhe vende tjera.

Sidoqoftë, ka edhe kritika për këtë projekt, një sasi e madhe e pemëve nuk do të ndryshojnë sasinë e reshjeve. Megjithatë, mbjellja e pemëve do të ndihmojë në zvogëlimin e efekteve të ndryshimeve klimatike, të cilat tani po sjellin reshje jo të shpeshta por të dendura. Pylli duhet të ndihmojë në rritjen e rrjedhës së ujit në tokë, më saktësisht duke përdorur shiun në mënyrë më efikase. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version