Nga: Dashnor Kaloçi
Kjo është historia e panjohur e Namik Lucit, inxhinierit me origjinë nga Peja i cili i detyruar nga shtypja e represioni i regjimit titist në Kosovë, në vitin 1961 ndërpreu studimet universitare për Kimi Industriale në Tuzëll të Bosnjës, dhe kthehet në vendlindjen e tij, Pejë, për t’u arratisur më pas drejt shtetit amë, Shqipërisë.
Diplomimi në universitetin e Tiranës dhe karriera e shkëlqyer si inxhinier kimist në të gjitha veprat e pesëvjeçarëve dhe më pas në Uzinën e Superfosfatit të Laçit mbaron kur u arrestua në vitin 1984 dhe u dënua 18 vite burg politik, duke u akuzuar se së bashku me disa bashkëpatriotë të tij me origjinë nga Kosova, do t’i bënin atentat Enver Hoxhës gjatë vizitës së tij në Krujë për inaugurimin e Muzeut të Skënderbeut
Ngjarjet e pranverës së vitit 1981 kur rinia studentore, inteligjencia dhe mbarë populli i Kosovës u ngritën në protesta, revolta dhe demonstrata masive kundër dhunës e shtypjes së egër që po ushtronte regjimi i Beogradit ndaj tyre, patën një jehonë të madhe në mbarë opinionin botëror. Por, ndaj popullsisë së pambrojtur kosovare, Shqipëria komuniste e asaj kohe, paradoksalisht, nuk bëri atë që duhej, kishte mundësi dhe i takonte të bënte. Edhe pse regjimi komunist i Tiranës në dukje, u ngrit në mbrojtje të së drejtave të popullsisë kosovare, Enver Hoxha dhe rrethi i tij i ngushtë i udhëheqjes komuniste të asaj kohe, në parim ishin kundër statusit të republikës që kërkonte Kosova. Kjo për faktin se ata kishin frikë dhe i druheshin formimit të një shteti tjetër shqiptar në Ballkan, pasi duke fituar Kosova statusin e Republikës, imazhi dhe benefitet e Shqipërisë do të binin ndjeshëm, pasi Perëndimi dhe gjithë shtetet e tjera të zhvilluara do të kthenin sytë nga Kosova. Dhe, kështu, izolimi ku e kishin futur ata Shqipërinë, do shtohej edhe me tepër.
Nisur nga kjo, pikërisht pak muaj pas demonstratave studentore të pranverës së vitit 1981, regjimi komunist i Tiranës nisi një fushatë të shfrenuar arrestimesh, burgosjesh dhe internimesh, të “emigrantëve” kosovarë (siç i cilësonte ai regjim kosovarët e ardhur në Shqipëri), me qëllim që të ulte në sytë e shqiptarëve, imazhin e kosovarëve, duke i etiketuar ata si spiunë të UDB-së, agjentë të Perëndimit, e gjithfarë shpifjesh të tjera. Në kuadrin e kësaj fushate e cila u shtri në të gjitha ato qytete ku kishte “emigrantë” kosovarë, në vitin 1984 u arrestua edhe inxhinieri teknolog i talentuar i industrisë kimike në Shqipëri, Naik Luci.
Bashkë me Namikun (i cili prej vitesh punonte dhe banonte familjarisht në qytetin e Laçit), në qelitë e ftohta të Sigurimit përfunduan edhe: Selim Kelmendi, Estref Kelmendi, Shefqet Kelmendi etj., ndaj të cilëve Sigurimi i Shtetit kishte montuar një nga akuzat më absurde dhe më të tmerrshme: “Atentat ndaj udhëheqësit kryesorë të Partisë dhe të Popullit”. Sipas hetuesit te Degës së Punëve të Brendshme të Krujës, Nexhat Selimi, i cili ishte dhe ideatori dhe formuluesi i aktakuzës ndaj atij “grupi tepër të rrezikshëm armiqësor”, “grupi i kosovarëve” do të kryente atentatin në Muzeun e Krujës, ku udhëheqësi kryesor (Enver Hoxha) do të shkonte për të bërë inaugurimin e tij. Dhe, si përfundim, “grupi armiqësor” i kosovarëve, fillimisht u dënuan me vdekje, dhe më pas “me zemërgjerësinë” e Partisë, dënimet e tyre zbritën nga 25 vjet për “krerët e grupit” deri në 18 vjet, për Namik Lucin.
Të gjitha këto ngjarje janë hedhur në një libër nga shokët dhe miqtë e afërt të Namik Lucit, i cili është përgatitur nga bashkëshortja e tij, Leno Luci, dhe Esat Myftari (një nga shokët dhe njerëzit më të afërt të Namikut që nga bankat e shkollës fillore të Pejës), ku më së shumti flitet për inxhinierin e famshëm teknolog të industrisë kimike, i cili u nda nga jeta më shtatë mars të vitit 1998, atë ditë që në të gjithë Shqipërinë u zhvilluan tubime paqësore në mbështetje të Kosovës. Nga ai libër ne kemi përzgjedhur për botim, disa kujtime të miqve e shokëve të Namikut, të cilët kanë jetuar dhe punuar me të në qytetin e Laçit.
Esat Myftari: Një njeri i rrallë
Me shkrue për Namik Lucin, emigrantin politik në dheun e vet, asht si me shkrue për një brez të tanë kosovarësh, që patën një fat paradoksal e të dhimbshëm. Në fakt, ata ishin produkt jo vetëm i një vendimi të padrejtë historik, siç asht coptimi i tokave shqiptare, por edhe i luftës së ftohtë, gjatë së cilës Kosovën e Shqipninë e kishin nda me “perde të hekurt” ideologjike dhe policore. Kjo e fundit duhet me u vue veças në pah, sepse mungesa e informacionit dhe frymëzimi i kushtezuem prej evolucionit të ndërgjegjies kombëtare e gatimit personal u banë shkak i shumë fatkeqësive personale dhe familjare.
Emigrantët kosovarë në Shqipni (po e përdor këtë term sepse ishte përcaktori zyrtar i regjimit komunist), përbajnë nji kategori shqiptarësh mbi kurrizin e të cilëve randoi barra e marrëdhanieve shqiptaro-jugosllave. E theksoj këtë fakt, sepse tue iu referua atij u banë krime por dhe glorifikime të pameritueme. Prandaj kur mora me hedh në letër disa kujtime nga jeta e shokut tim, Namik Lucit, mu duk sikur po e qitsha në peshojë një brez të tanë djelmash kosovarë, a, ma ngushtë pejanë, ideali i të cilëve për Shqipnin ishte vërtet platonik. Ato sigurisht që mbajnë vulën e kohës dhe pak kush sot mundet me i perceptue edhe për faktin se, siç e thashë ma nalt, kanë përbrenda nji mister paradoksesh e alogjizmash.
Me Namikun kam qenë bashkënxanës në fillore e gjimnaz. Afrimi im me të ishte krejt i natyrshëm, ashtu siç ndodh në atë moshë të artë, kur gjithçka asht e drejt për drejtë. Ai rridhte nga një familje mesatare qytetare. I ati, Mustafa, kishte mbështetë lëvizjen komuniste të qytetit, pa qenë ndonjë aktivist i dalluem. Sidoqoft, mbas luftës, në saje edhe të krushqisë (kushërira e Namikut, ishte gruaja e Mehmet Shoshit, figurë kjo e njohur e nomeklaturës krahinore), pozitat e kësaj familje qenë forcue. Po kështu nga ana e dajës ai gëzonte një siguri që, në ato kushte represioni policesk rankoviçian, mund të kishe edhe një anë tepër negative: tundimin për me përfitue prej nji statusi të tillë.
Ndërkaq, fati e deshi që këto dy tundime hipotetike të mershin fund në mënyrë tragjike: i ati bani vetëvrasje, kurse daja i vdiq në një aksident (aksident që nuk u sqarua ndonjëherë). Edhe vetëvrsaja e tij mbeti një mister. Pra ai mbeti pa babë shumë i ri, në tetëvjeçare, ndonëse me përkujdesje të mëdha prej njerëzve të afërm. Namiku pat qëndrue diku në paradhomën e letërsisë. Prirja e tij e vërtetë ishin matematika dhe Kimia. Ai shkoi për me studjue Kimi Industruiale në Tuzlla të Bosnjës.
Ahmet Ulaj: Namiku, frymëzues i madh i atdhedashirisë
Nëse do të më pyeste dikush se çfarë e kisha Namik Lucin, do ta kisha vështirë t’i përgjigjesha, Të them se e kisha shok, kjo më duket shumë pak, të them se e kisha mik, kjo nuk më lejohet, sepse e kisha më shumë…, e kisha gjithçka. Janë vite të tëra njohje që më bëjnë ta them këtë. Por më shumë se më vitet me Namikun na lidhte Kosova. Të dy ishim lindur në anën tjetër të trojeve shqiptare, Namiku në Pejë dhe unë në Vuthaj.
Por kësaj i shtohej edhe më tepër dashuria që Namiku ushqente për tërë njerëzit në përgjithësi dhe për djemtë e për vajzat e trojeve shqiptare të trojeve etnike jashtë kufirit të territorit të shtetit shqiptar që kishin ardhur në Shqipëri. Tek ai secili gjente diçka lehtësuese që fillonte që më takimin e parë me të dhe vazhdonte për tërë pjesën tjetër të jetës. Me Namikun na lidhte edhe shqetësimi shumë i madh për vëndlidjet tona, edhe shqetësimi i madh për fatin e njerëzve atje. Me Namikun na lidhte edhe ndarja me njezit tanë atje, po jo më pak edhe shqetësimi për vëllezërit tanë që kishin ardhur si dhe ne në Shqipëri, dhe quheshin “emigrantë” në vëndin e tyre. Ishte fundi i vitit 1984. Një ditë para arrestimit, shkova në shtëpi të Namikut si zakonisht.
Nuk ndjehej mirë. Ishte i lodhur, i mërzitur, me grip, më tha. Kurrë nuk e morra vesh, nuk e kam pyetur as më vonë, në se kishte dijeni se do të arrestohej. Një ditë më pas kalova nën oborrin e shtëpisë së tij duke thirrur: “O Namik”. Me qënë se banonte në katin e fundit, shpesh nuk dëgjonte dhe shumicën e rasteve komshinjtë e lajmëronin, gjë që po e prisja. Disa lëvizje të lehta perdesh pashë në apartamente të ndryshme, jo të zakonshme, por askush nuk më lajmëroi. Disi u habita. Këto lëvizje dhe shikimet e disa qytetarëve të rastit më ngjallën një lloj dyshimi që diçka mund të kishte ndodhur. Infermieria Marte, po më thërriste, disa herë: Doktor Ahmet, me gjysëm zëri.
U afrova dhe lexova shpejt në sytë e saj diçka jo të mirë. “Mos thirr më tha. Ai nuk është në shtëpi. Ik në spital. Namikun e kanë arrestuar mbrëmë”. U trondita pa masë por duke u përmbajtur. Kisha ankth, pse jo dhe frikë, ndjenjë që e kisha provuar shumë herë të tjera vetëm dhe së bashku me Namikun, kur arrestuan Idrizin, Jatullahun, Esatin, Kolën, Shefqetin, Prof. Kelmendin, Isën e të tjerë. Por sigurisht që u trondita shumë për Namikun, që kishte rradhën këtë herë. Kishim biseduar shpesh herë për këtë lloj trajtimi të kosovarëve. Namiku me maturi dhe argumente vlerësonte shumë prej tyre si patriotë që izoloheshin nëpër burgje, sepse dinin shumë, nuk pajtoheshin me çdo gjë dhe së fundi ishin dhe për ndryshime në vënd.
Namiku kishte një pozitë krejt të veçantë në Laç, për shkak të personalitetit të tipareve të tij krejt të spikatura. Punonte në uzinën me ndotje nga më të mëdhatë në Europë, por ishte çdo ditë i veshur me kostum, kollare, pardesy të bardhë, i hekurosur, me erën e lehtë të ndonjë parfumi të dhuruar. A nuk ishin këto tipare të mjaftueshme për ta izoluar si bartës të ideve kapitalisto-revizioniste?!
Avni Martinaj: Për atë që meriton më tepër
Ishte viti 1979 kur fillova punë për herë të parë në Uzinën e Bakrit në Laç, e cila sapo nxorri prodhimin e parë. Dhe pikërisht aty njoha nga afër Namik Lucin, kurse emrin e tij e kisha dëgjuar edhe më parë. Energjik i palodhur, ai ishte vlersuar nga të githë specialistët për aftësitë e tij profesionale e për novatorizm, por për këtë fushë janë të tjerët që duhet të bëjnë vlersimet e sakta, pasi kanë njohuri profesionale e dhjetra vite lidhje pune me Namikun. Nga mosha kishim diferencë të madhe dhe nuk mund të them se e kisha shok, por nga mënyra se si komunikonte më dukej tepër i afërt, ndaj mosha nuk kishte vlerë. Këtë ndjesi nuk kisha vetëm unë.
Hyrja e atij njeriu në zyrë, shtëpi, mensë, apo ambiente të tjera sillte kënaqësi tek të gjithë. Fjalëmbël, me humor të mirë e me thjeshtësi të rrallë, ai i bënte për vete. Human i gatshëm si askush tjetër për t’ju gjendur në ndihmë atyre që kishin nevojë. Po të vështroni me hollësi shoqërinë e Namikut, do të gjeni cilësinë më të vyer të tij, aty do të gjeni shpirtin e rrallë, dashurinë për njerëzit e thjeshtë, përpjekjet deri të rrezikshmë për t’i ndihmuar etj etj. Ai kurrë nuk u bë servil i të mëdhenjëve apo pretendues për karrierë, atë e gjeje me punonjësit dhe aty ishte shumë herë më i kënaqur. Kudo ku kishin nevojë pushtetarët e asaj kohe e merrnin sa në një uzinë aq dhe në tjetrën për të shfrytëzuar aftësitë e tija.
Sa më shumë kalonin vitet aq më shumë shtrihej njohja dhe fama e Namikut, sa që nuk kishte gëzim, fejesa, dasëm etj, ku Namikut të mos i bëhej vendi kryesor. Buzagaz e gjith humor, të uronte me lot gëzimi që i dilnin nga sytë e tij engjëllorë. Por këto virtute të larta i pagoi shtrenjtë. Megjithatë pas daljes nga burgu, ai nuk tregoi asnjë shenjë hakmarrjeje për ata që i shkaktuan dhimbje atij personalisht dhe familjes së tij.
Llambi Kacorri: Namiku, patrioti elegant dhe bujar
Duke kujtuar Namik Lucin, nuk mund të mos të bjerë në mënd një burrë elegant për kohën e pjekurisë së tij më të madhe dhe që u nda nga kjo botë atehere kur nuk pritesh, dhe as që ishte menduar. Është kjo që e bëri dhimbjen më të madhe dhe të pakapërcyeshme të atyre që e deshën fort, të familjes së tij, miqve, por edhe ne shokëve që kemi kaluar shumë vite së bashku.
E kisha përë Namikun para se të takoheshim me njëri tjetrin. E kish parë të shëtiste me dy vajza pejane edhe ato studente në Tiranë dhe me poetin e njohur kosovar, Agim Gjakovën. Rasti e solli që të punojmë në një qytet edhe pse në profesione të ndryshme. Qyteti i Laçit ku ne jetuam e punuam për shumë kohë, kishte një inteligjencë të madhe dhe krijonte një terren të përshtatshëm për biseda akademike, për një gjallëri intelektuale të admirueshme, por që herë herë këto krijonin një xhelozi tek ndonjë aparatçik mediokër, të cilët nuk ishin dhe të pakët, e që në ndonjë rast krijon edhe pengesa apo vështirësi, të cilat u kapërcyen falë personalitetit që ai kishte krijuar si dhe opinionit të shëndoshë shoqëror që kishte krijuar rreth vetes.
Si njeri nga i cili buronte veçse mirësi, rrethi i angazhimeve të tija ishin Kosova me problemet e saj, puna në uzinë, dhe familja, kështu që askush, dhe për asjgë nuk mund të depërtonte në jetën dhe problemet e tij. Ndjesitë patriotike dhe mëmëdhedashëse tek Namiku ishin të pranishme në çdo moment. Kjo i dha shkas trashjes së bisedave tona në çdo rast dhe pa asnjë rezervë. Rasti më sinjifikativ ishte shpërthimi i demonstratave të rinisë studentore dhe inteligjencës kosovare në fillimet e viteve ’80-të. Në këtë kohë tek Namiku përjetoheshin dy momente, që ishin mjaft të shprehura dhe të diktuara: së pari ngazëllimi, mburrja e ndërkohë edhe krenaria për atë që po ndodhte atje në Kosovë, por edhe trishtimi dhe keqardhja që ndodhej këtu dhe jo atje me shokët ku vlonin këto ngjarje, sepse sipas mendimit tim, ai e përfytyronte veten atje në luftë, ku dhe rreziku ishte më i madh.
E gjitha kjo, sepse parasëgjithash ai ishte patriot i atdheut të vet. Më kujtohet një rast në mencën e Uzinës së Superfosfatit. Namiku ishte ulur në një grup të gjerë ku ishin ulur kryesisht studentë të degës së Kimisë Industriale që bënin praktikën mësimore në Laç. Kur hyra brenda, një pedagogu i tyre më njohu dhe më thërret. Ndërkohë Namiku ngrihet, merr një karrige dhe më prezanton më shumë se ‘ç’më takonte. Si në kësi rastesh temat e bisedës ishin të larmishme, por herë pas here biseda shkonte te Kosova dhe ngjarjet e saj. Këtë e vërtetonte edhe fakti që në tavolinë ishin 7-8 gazeta. Pas pak minutash bisedat e lira, i pëshpëris Namikut dy vargje nga “Këngët e Milosaos” të De Radës, që unë i kam pasur gjithmonë për zemër.
“Doemos do vdesim mbi shtrat / Në mos rënçim në prag të shtëpive tona”. Namik Luci ishte një prind shëmbëllor. Kjo jo vetëm në marrëdhënie me gruan, të cilën e konsideronte si pjesën më të mirë të tij, por edhe në raport me katër djemtë e tij, të cilët për të ishin më shumë shok se fëmijë. Në një plan më të gjerë ishin dhe marrëdhëniet e tij shoqërore. Të hyje në familjen e Namik Lucit ishte një kënaqësi, sepse ndjeje një mjedis të ngrohtë, të sinqertë dhe pa druajtjet që zakonisht ndjen në rastet kur hyn në familje të huaj. Bujaria dhe shpirtbardhësia ishin tiparet kryesore të kësaj familje.
Bardh Rica: Ai është në memorien e të gjithëve
Namik Luci, në kujtesën time do të mbetet portreti i një njeriu fisnik, intelektual kurajoz, patrioti të vërtetë, familjari korrekt, që mbi të gjitha e karakterizonte sinqeriteti i pashoq në të gjithë aktivitetin e tij. Atëhere kur Shqipëria copëtohej në mënyrën më makabre, fizikisht, shpirtërisht dhe mendërisht, nga ateistë të pashpirt, ky student moderator nga Kosova, do të detyrohej të largohej prej andej për të ardhur në Tiranë, ku falë pasionit dhe vullnetit të tij për dijen, do të vazhdonte studimet në Universitetin e Tiranës, ku do të diplomohej për Kimi.
Pas mbarimit të universitetit, do të përkushtohej me mëndjen dhe intelektin e tij në Laç të Kurbinit dhe ishte një ndër projektuesit dhe realizuesit e Kombinatit Kimiko-Metalurgjik në Laç, me teknologji ruse, kineze, franceze, polake etj. Falë novacionit të tij, ai mundi të adaptojë dhe të aplikojë modele mjaft funksionale të përshtatura me kushtet rrethanore, Ai për gjatë gjithë jetës së tij në punë nuk njohu orare, punoi me dhe pa turne, pasi tek ai njeri ishte skalitur dëshira dhe pasioni për punën, shkëncën dhe teknologjitë e reja bashkëkohore.
Falë këtij pasioni mundi të krijojë edhe shkollën profesionale për degën e Kimisë, duke kontribuar në formimin profesional të specialistëve. Pavarsisht punës dhe sakrificave, Namiku do të ndiqej dhe persekutohej nga Sigurimi famëkeq i Shtetit. Ndërkohë ai digjej nga malli për Kosovën martire, bir i së cilës ai ishte, për bashkëmoshatarët e fëmijërisë së tij. Nuk do ta harroj kurrë një moment rrënqethës tek lokal “Drini” në vitin 1978. Një grup të rinjësh nga Kosova do t’i jepnin gjallëri asaj nate. Këta të rinj ishin nga vëndlindja e Namikut, dhe së bashku me ta, në atë lokal isha dhe unë. Namiku duke e ditur se ishte nën vazhgimin e Sigurit të Shtetit, nuk mundi t’i takonte, përqafonte dhe çmallej me vëllezërit e tij kosovarë. Duke e përjetuar këtë pamundësi brenda vetes së tij, ai nuk mundi t’i ndalte dot lotët që i rrodhën rrëke faqeve. Ishin lotë mallëngjimi por edhe lot mallkimi për ata të pa fe dhe atdhe që i ndanë trojet shqiptare për shkak të politikës së mbrapsht që ndoqën pëer 50 vjet.
Nuk do të shkonte shumë kohë, kur Namiku do të përfundonte në birucat e burgjeve famëkeqe të diktaturës dhe do të dënohej me 18 vjet burg. Nga rrëfimet e bashkëvuajtësve të tij, ai do të shquhej ndër ta, si njeri i vendosur dhe mjaft fisnik, duke qëndruar dhe mbijetuar pa i humbur vlerat e mëdha shpirtërore, intelektuale dhe shoqërore. Në qoftë se, për dikë, gjëja më e shtrenjtë është emri i mirë, Namiku e la pas këtë në të gjitha drejtimet.
Mal Berisha: Namiku më rrënjosi dashurinë për Kosovën
Në një mbrëmje vere të vitit 2002, jam ulur në një kafe të bukur buzë Lumit të Bardhë që i bie mes për mes Pejës. Qyteti ende nuk e ka marrë veten nga rrënimet e patregueshme që ka pësuar nga hordhitë serbe. Freskia e lumit, kafet bri njëra tjetrës, muzika me zë të lartë që luhet nëpër magnetofonët, të gjitha e bëjnë këtë mbrëmje pejane vërtetë të këndëshme, në qytetin ku u lind dhe u rrit, njëri prej miqve më të mirë të jetës sime, Namik Luci. Pranë kam një djalë të ri, të këndshëm dhe simpatik, që është më pak se gjysma e moshës sime, por që më shkon shumë muhabeti me të. Është Avni (Ani) Luci, i biri i mikut tim të dashur, i të ndjerit inxhinier Namik Luci.
Për Anin, ai është babai i ndjerë i dashur, i vuajtur dhe krenar, për mua, miku, shoku dhe njeriu që kam dashur me shpirt. Në këtë mbrëmjë i tregova Anit shumë gjera që ai i di dhe nuk i di, por që unë dua t’i rikujtoj. Duhet të ketë qenë fundi i viteve ’60-të, kur një fshat i njohur në Shqipëri prej Kishës së Shën-Ndout për pelegrinazhet, Laçi i Kurbinit, u kthye në vëndin që mbante industrinë më të përparuar kimike të asaj kohe në vënd. Përkrah qindra mijra punonjësve që vërshuan aty nga e gjithë Shqipëria, ishte dhe një djalë simpatik, biond, i gjallë, shumë shprehës, me një ecje të lehtë prej atleti, i njohur nga të gjithë si inxhinier Namiku.
Prirja për të patur shoqëri me kosovarë, më bëri që shumë shpejt të bie në kontakt me të, ndonëse unë ishe vetëm një gjimnazist i atij qyteti. Në atë kohë gjimnazi “Ismail Qemali” i Laçit i dërgonte nxënësit e vet për praktika mësimore në fabrikën e Acidit Sulfurik. Një ndër kënaqësitë e mija të asaj kohe ishte fakti se atje mund të takoja inxhinier Namikun, Shtati i tij prej kosovari lëshonte një hije dashamirësije tek njerëzit, jo vetëm brenda vetë reparteve të të uzinës, por edhe në qytet. I shoqërueshëm, gazmor, nganjeherë shumë meditativ, i dashur me punëtorët, i këndshëm në pije, ky ishte portreti i tij në ato ditë që ne kalonim në uzinë.
Por kjo la prapa një vijë të gjatë shoqërije dhe komunikimi me Namikun, dhe më pas familjen e tij. Ajo ndonëse për disa arsye u ndërpre fizikisht më vonë, shpirtërisht nuk u ndërpre kurrë. Atë natë në Pejë, ndjeva se historia që i kisha treguar Anit, duhej treguar në librin për Namikun. Dhe u ndjeva shumë i nderuar që m’u dha rasti t’i vë këto rradhë në këtë libër për mikun tim të nderuar, Namikun.
Hil Kamani: U dënua mizorisht pse ishte atdhetar
Namik Luci ishte një nga djemtë kosovarë që kishte ardhur në Shqipëri si “emigrant” në vitin 1961, me një dëshirë dhe ëndërr të pastër atdhetare, me besim të plotë se këtu, në Shqipëri, çështja kombëtare dhe zgjidhja e problemit të Kosovës, ishin problemet kryesore të politikës dhe shtetit shqiptar komunist. Por ai dhe të gjithë që kishin ardhur si ai, u zhgënjyen shpejt. Këtë të vërtetë ai e mësoi shumë shpejt në kampet e përqëndrimit në Çermë dhe Seman, kur shihte se si shokët e tij damkoseshin e masakroheshin, burgoseshin dhe internoheshin vetëm e vetëm pse donin Kosovën të bashkuar me Shqipërinë.
Me gjithë kushtet tejmase të regjimit komunist, ku për një fjalë goje të shkonte kryet, Namik Luci nuk rreshti kurrë së mbrojturi çështjen e Kosovës për bashkimin e saj me Shqipërinë. Në këtë fushë ai kishte aftësi e zhdërvjelltësi të veçantë. Ai njihte në ato kohë, gjendjen politike dhe shoqërore të Kosovës, ndoshta më mirë se cilido kosovar “emigrant” dhe kjo falë përkushtimit të tij për këtë çështje e lidhjet që kishte e krijonte me njerëzit më kryesorë të Kosovës: shkrimtarë, politikanë, shkencatër, pedagogë, këngëtarë, arsimtarë, artistë etj.
Unë shumë herë në Laç në biseda me Namikun, mësoja mbi zhvillimet në Kosovë; ngjarjet, veprimtari e qëndrime të shqiptarëve, të cilat herë më gëzonin dhe herë më dëshpëronin. Ai ka shpenzuar shumë kohë, energji dhe mjete financiare të vetat, për të takuar e biseduar për njerëzit që vinin nga Kosova në Shqipëri, nga viti 1967 e deri në 1981. Mua Namiku më ka njohur me prof. Zekeria Canën, prof. Hajrulla Goranin, Luljeta Pulën, Ramiz Kelmendin etj. Dy fotografi ai i mbante gjithmonë me vete: të Adem Demaçit dhe Nexhmije Pagarushës. Për herë të parë emrin e Namikut e kam dëgjuar në vitin 1961, kur isha në vitin e tretë në shkollën Normale të Elbasanit dhe sa kujtoj për të më pati folur Qazim Radoniqi, shok fëminie me Namikun, edhe ky nga Peja.
Në sajë të vetive të tija, ai shpejt u bë nga më të njohurit në rrethet e “emigrantëve” kosovarë dhe më gjerë. Veç të tjerash, në ceremoninë e varrimit të Namikut, m’u ngarkua që të mbaja fjalën e lamtumirës. Pasi e shkrova fjalën që do të mbaja, e pamë me Ahmet Ulën, Pjetër Zefin e Avni Martinin. E vlerësuan. Atë ditë në ngushëllim e kryeshëndoshë, për Namik Lucin, erdhën shokë e të njohur nga i gjithë rrethi i Krujës, nga Lezha, Shkodra, Tirana, Durrësi, Kavaja, Elbasani etj.
Unë nuk kisha parë për 30 vjet në Laç aq shumë njerëz në ditë mortore, se atë ditë morti për Namik Lucin. Madje erdhi dhe një ish punonjës Sigurimi, operativ, që më 1984 ishte mburrur se ishte ai që na paskësh zbuluar “armikun” Namik Luci. Namiku u varros në varrezat e Laçit ku kishte vërshuar i gjithë populli për ta përcjellë. Namik Luci shkoi në atë jetë faqebardhë, la emër të mirë, vepër të mirë dhe djem e bashkëshorte për së mbari.
Letra e Namikut nga burgu i Qafë- Barit:
“Kërkojeni korespodencën time me Luljeta Pulën e Enver Hadërin”
I dashur Ani, në mjedisin ku jetoj, mendoj, luftoj duke punuar për ngritjen time qoftë politike, letrare e profesionale, kur marr letra prej teje apo Ilirit, Petritit, Visarit, gëzohem shumë. Dhe ky gëzim ka arsyet e veta. Sidomos i ndieshëm është gezimi, kur shpërndarësi, përmes turmës, të lajëmron për letrën apo telegramin. E kjo vërteton më së miri atë që quhet e bukur dhe e vërtetë: se dikush mendon, kujton, lufton, harton plane dhe ndoshta në heshtje mendon qoftë për mua, qoftë për veten e vet, me të vetmin qëllim për të mposht, brengat, hallet etj. Letrën e mora me vonesë, me datë 27.06.1990. U gëzova shumë, takova Jetullahun, i cili u gëzua shumë, pasi ai s’ka njeri dhe duke e parë si bashkatdhetar dëshiron të dijë çdo gjë që lidhet me ju, qoftë mësimet, qoftë punën apo shëndetin tuaj. Shumë u gëzuam që ishit mirë me shëndet.
Nga letra, mësova në lidhje me përpjekjet që bëni në lidhje me hedhjen dritë rreth montazhit që m’u sajua në emër të perëndeshës Drejtësi në prillin e 1984. Unë Ilirin dhe Petritin i kam sqaruar për të gjitha, madje u kam thënë edhe për letrat e shumta që kam dërguar duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë. Dhe për mua pak rëndësi ka sa janë marrë parasysh përpjekjet që kam bërë për të sqaruar problemet që kam trajtuar, pasi në të gjitha letrat e dërguara jam treguar shumë njeri dhe mbi të gjitha s’kam pranuar të tregtoj në biografiunë time shumë të pastër të rrethit familjar dhe atij shoqëror, qoftë këtu, qoftë në Kosovë, kur sot, shtypi, televizioni, sidomos ata të Pejës e Prishtinës, të rrethit tim familjar e shoqëror po i ngrin në piedestal, por në të njëjtën kohë po ndriçohen të vërtetat mbi gjith ata të rinj kosovarë që muarën, zgjodhën rrugën më të vështirë të mërgimit.
Për këtë do të përmënd dy të vërteta të mëdha: Në kujtesën e popullit shqiptar kurrë nuk do të harrohet qëndrimi e lufta, përpjekja e paepur e Luljeta Pulës (të cilën edhe ju patët rastin ta njihnit në 1978 në Laç), në Kongresin Amerikan, për demaskimin e planeve elaborateve famëkeqe të Graçaninit, Çubrilloviqit, Andrijit e deri tek i fundit për jetë, Millosheviçit. Përherë do të kujtohet me respekt lufta e përpjekjet që bëri në vendet perendimore për 23 vjet i ndjeri Enver Hadëri. Këto dy të vërteta i shkruajta me qëllim që korespodencën e Luljetës dhe fotografitë e Enverit t’i kërkoni nga ata që i morën gjatë kontrollit me rastin e arrestimit tim. Kur të vini, mos më harroni dhe librat: “Ç’thonë e ç’kërkojnë kosovarët”, vëllimi i dytë, “Vetëdija letrare” e Sabri Hamitit dhe “Panteoni i rralluar”. Me mall ju përqafon Namiku. /Memorie.al/