Site icon Telegrafi

Lufta e filmit kundër të pasurve

Një nga temat e diskutimit këtë vit, ishte vala e filmave rreth pabarazisë dhe ndarjes mes klasave. Pjesë të tekstit të kritikut të BBC-së, Hugh Montgomery, përkitazi me këtë temë, sjell Telegrafi si më poshtë.

Për një gjë mund të mbahet mend ndarja e çmimeve Oscar më 2020: fitorja e filmit “Parasite” (Paraziti), si Filmi më i Mirë. Sipas basteve, horror-komedia e regjisorit Bong Joon-ho ishte e dyta më e preferuara për këtë çmim, pas dramës së Luftës së Parë Botërore, filmit “1917”.

Ka shumë arsye se pse kjo ishte zgjedhje e jashtëzakonshme. Para së gjithash, do të jetë një fitues i Filmit më të Mirë, një film që në fakt ishte më i miri mes të nominuarve. Së dyti, filmi i Koresë së Jugut do të jetë prodhimi i parë në gjuhën jo-angleze që pretendon çmimin më të madh – moment simbolik drejt përfundimit të dominimit të kinemasë amerikane. Dhe, së treti, është fituesi më armiqësor deri tash. Duke e treguar historinë e një familje të klasës punëtore që përplaset me një familje të pasur, ky film merret me hendekun midis të pasurve dhe të varfërve, aq sa do të turpëronte shumë të pranishëm në ceremoninë e së dielës – nëse do të ishin së paku të vetëdijshëm për këtë. Por, fitorja do të jetë edhe filtrim i një momenti kulturor, pasi kinemaja ka vendosur të ngre pankartat dhe të ballafaqojë pabarazinë e shoqërisë kapitaliste.

Në një linjë me “Parazitin” ishte rivali tjetër për Oscar, “Joker” (Shakaxhiu) që mbizotëroi diskursin kritik gjatë vjeshtës. Baza e rrëfimit që lind nga një keqpërbërës i stripave “DC” – i paraqitur si Arthur Fleck, një kloun me sëmundje mendore që u shndërrua në vrasës nga margjinalizimi i tij shoqëror dhe nga diskriminimi ekonomik – shihet si një alegori politike. Kjo është shumë e qartë nga mënyra sesi elektrizohen turmat e pakënaqura në qytetin Gotham, që vendosin paska të klounit për ta nderuar, si dhe monologun që flet për  përmbysjen e së mirës së përbashkët (“Askush nuk mendon se si është të jesh ai tipi tjetër…”)!

Megjithatë, vendimi për ta vendosur “Shakaxhiun” në fillim të viteve 1980, e mban atë në një distancë të sigurt ndaj përshkrimeve të tashme shoqërore. Por, edhe si një homazh për filmat e asaj kohe – sidomos filmin “King of Comedy” (Mbreti i komedisë) të regjisorit Martin Scorsese – bën që e gjithë bota e saj të ndjehet disi artificiale. Narrativa është “ne kundër atyre”, por nuk arrin të reflektojë në asnjë mënyrë ngjarjet e sotme populiste. Shikoni ShBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku burrat e pasur e të privilegjuar janë larg nga demonizimet; përkundrazi, të dy shtetet kanë udhëheqës që kanë folur kundër një elite të krahut të majtë. Po ashtu, filmi shmanget nga marrja e përgjegjësisë kur Flecku mbahet lart nga protestuesit teksa Gotham digjet – një skenë e cila, natyrisht, mund të jetë ose të mos jetë pjesë e imagjinatës së tronditur të Fleck e kështu të justifikojë boshllëkun politik dhe moral duke e zhvendosur ngjarjen në halucinacion individual.

Një film me pak më shumë inteligjencë, por pa dyshim jo më shumë për të thënë, është “Knives Out” (Thikat gati) – një tjetër film i kandiduar për skenarin më të mirë. Bartja e klasikut të shkrimtares Agatha Christies në Amerikën bashkëkohore, është padyshim argëtues, teksa anëtarët e ndryshëm të privilegjuar e dembelë të familjes Thrombey janë të dyshuar për vrasjen e shkrimtarit të famshëm të temave të krimit, Harlan. Dhe, kur bëhet fjalë për temën sociale, këtu ka një përmbysje të privilegjeve. Por, pa marrë parasysh ngjashmërive të karaktereve me personazhet reale, filmit i mungon zbulesa. Ndërsa, kryeprotagonistja e klasës punëtore, Marta, është shumë figurë engjëllore, në mënyrë absurde madje, aq sa nuk mund të gënjejë nëse nuk vjell.

Shumë më interesant se dy filmat e fundit, është një film që nuk është nominuar për Oscar – mbase jo për t’u çuditur kur qasja ndaj klasave dhe pabarazisë është më  ndërlikuar dhe më e mundshme. Horrori i regjisorit Jordan Peele, “Us” (Ne), si filmi i tij i mëparshëm “Get Out” (Jashtë!), janë të bekuar me koncept brilant që nuk ka nevojë të japë përgjigje të sakta. Rrëfimi për një familje të shtresës së mesme amerikane, që kërcënohet nga një familje tjetër, kipce e tyre, ka më pak ndarje midis të pasurve dhe të varfërve e më shumë lidhje të tmerrshme. Në përshkrimin e racës së kipcave, filmi tregon se suksesi dhe pasuria në një botë kapitaliste është paracaktuar nga dështimi dhe shtypja e dikujt tjetër.

Filmi i regjisores Lorene Scafaria, “Hustlers” (Mashtrueset), bazohet në ngjarje të vërtetë, nga një artikull në “New York Magazin” që flet për një grup striptizetash që tallën bankarët e Wall Street-it. Si punonjëse seksi, këto gra mund t’i përkasin cilësdo demografie të margjinalizuar, por ato nuk e shohin veten si viktima të klientelës së privilegjuar: ato janë të përqendruara në lojë e jo në urrejtje. Por, kriza ekonomike e vitit 2008 i bënë ato më të ndjeshme ndaj shfrytëzimi: burrat kërkojnë më shumë për paratë e tyre. Atëherë futet një skema si reagim ndaj sistemit socio-ekonomik: drogojnë bankarët dhe u marrin para.

“Parasite”, njëjtë si “Hustlers”, është një studim i njerëzve që përpiqen të luajnë me sistemin kapitalist: në këtë rast, familja Kim me katër anëtarë. Duke jetuar në varfëri në një bodrum të rrënuar, ata futen në shërbim të familjes së pasur Park: si mësues i anglishtes, si mësuese e artit, si shofer dhe si amvise, në dy rastet e fundit duke pushuar të tjerët nga puna. Por, komedia e errët kthehet në horror me bunkerin nën shtëpinë e familjes Park, ku jeton fshehtë burri i ish-amvises për të ikur nga fajdexhinjtë. Kështu, filmi kalon te e vërteta: nuk ka satirë te ngritja shoqërore, por një alegori të degradimit shoqëror.

Ka shumë elementë të mrekullueshëm në punën e regjisorit Bong Joon-ho, që nga fotografia e deri te kthesat e temës, por karakterizimi është kryesori, veçanërisht kur bëhet fjalë për përshkrimin e të pasurve. Për dallim nga filmat e përmendur më lart, të pasurit nuk paraqiten si njerëz të tmerrshëm. Znj. Park është një grua disi boshe, por me sjellje të mirë, dhe z. Park një biznesmen i këndshëm. Por, filmi vë në pikëpyetje idetë e mirësisë. Kur z. Kim thotë për familjen Park, “janë të pasur, por gjithsesi të mirë”, gruaja e korrigjon me “janë të mirë sepse janë të pasur”.

Në një deklaratë, regjisori Bong ka thënë për filmin e tij: “Një komedi pa klounë, një tragjedi pa keqbërës”. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version