Telegrafi

Luanët mbysin burrin në një park në Indi, e gjithë ngjarja ndodhi para syve të dhjetëra vizitorëve (Video, +18)

Një burrë është mbytur nga luanët dhe atë në prezencë të vizitorëve që ishin brenda autobusëve, pasi kërceu murin mbrojtës të një parku në Indi. Burri ishte ngjitur në mur në kopshtin zoologjik Chhatbir në Punjab, që është shtëpi e katër luanëve.

Dhe në momentin që u fut në zonën që është e ndaluar për vizitorë, ai u sulmua brutalisht. Ndërkaq vizitorët panë gjithë ngjarjen kur luanesha e quajtur Shilpa e kafshoi në qafë kurse më pas iu bashkua edhe luani i quajtur Yuvraj, që e kafshoi në kokë dhe e tërhiqnin zvarrë, transmeton Telegrafi.

Në videon amatore të filmuar me telefon nga vizitorët, shihet se si njëri nga luanët e tërheq zvarrë burrin i cili bërtet nga dhimbjet e kafshimit. Ndërkaq një vizitor i ra borisë së autobusit për t’i frikësuar luanët me qëllim që të ketë kohë të mjaftueshme për ta shpëtuar burrin.

“Ekipi i shpëtuesve panë luaneshën Shilpa duke e kafshuar në qafë, kurse luani Yuvraj në kokë. Por në momentin që u larguan nga ai e futën në autobus. Megjithatë edhe pse u dërguan me urgjencë në spital, ai nuk i mbijetoi plagëve të marra”, ka deklaruar një zyrtar për Times of India.

Luanët që e sulmuan burrin janë luanë aziatik, një specie në zhdukje. Raportohet se vetëm 500 ekzistojnë dhe që të gjithë jetojnë në pjesën perëndimore të Indisë. /Telegrafi/