Këngëtarja dhe moderatorja e njohur, Luana Vjollca, ka prezantuar për publikun projektin e saj më të ri muzikor.
“Pa panik” titullohet kënga e re e saj, e cila është ritmike dhe për koiçidencë i përshtatet gjendjes alarmante të krijuar nga paniku i përhapjes së coronavirusit në mbarë globin.
Kënga është punuar nga Cekic Beats, gjersa për vargjet e tekstit është kujdesur Fifi.
Luana vendosi që të mërkurën këngën ta publikojë bashkë me klip, i cili është xhiruar në mënyrë krejt spontane me telefon.
Në rrjetin social Instagram, ajo shkroi se nuk e parashihte publikimin e klipit në këtë lloj forme, mirëpo ja që vetë-izolimi ka bërë të veten.
“Klipi është i xhiruar me telefon gjatë një seti fotografish për gallatë, por ja që unë e publikova. S’e besoj as vet që e publikova kështu por karantinimi ka bërë punën e vet , jena mirë. Titulli përkon rastësisht me situatën ku ndodhemi. Të heqim pak mendjen”, shkroi Luana Vjollca në Instagram.
Klipi përndryshe është xhiruar me iPhone 11 Pro 4K, gjersa editimi është bërë nga produksioni kosovar Imagine Films. /Telegrafi/