Ish-boksieri shqiptar, Luan Krasniqi, është një prej miliona njerëzve anekënd botës që mezi presin duelin ndërmjet Deontay Wilder dhe Tyson Fury.
Dy boksierët që konkurrojnë në kategorinë e peshave të rënda do të zhvillojnë në Las Vegas meçin e vlefshëm për titullin WBC.
Krasniqi ka bërë në postim në rrjetet sociale duke thënë se dëshiron të shikojë nëse Fury ka arritur të rikthehet në formë.
Ndërkohë, ai e ka kritikuar teatrin e tepruar që bëhet ndërmjet boksierëve në konferencat për shtyp, matjet zyrtare, si edhe përmes rrjeteve sociale.
“Mezi pres ta shoh duelin ndërmjet Deontay Wilder dhe Tyson Fury. Jam në veçanti i entuziazmuar që të shoh nëse Fury do të rikthehet në formë”.
“Mirëpo, ajo që më duket fyese është i gjithë teatri që po krijohet nga të dy. Dikujt i pëlqen kjo për argëtim dhe si pjesë e spektaklit. Unë mendoj se e dëmton boksin”, ka shkruar Luani në Facebook.
Rikujtojmë se dueli ndërmjet Wilder dhe Fury zhvillohet rreth orës 6:00 të mëngjesit të të dielës (2 dhjetor 2018). /Telegrafi/