Partia në pushtet, LSDM, përmes një komunikate për media ka deklaruar se me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare, për Maqedoninë po fillon një perspektivë e re.
“Fillon një kapitull i ri i historisë maqedonase. Republika e Maqedonisë së Veriut po fillon negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pas 17 vitesh, më në fund dhe më se merituar po i nisim negociatat me BE-në. Me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare në Bruksel, Bashkimi Evropian i hapi dyert vendit tonë. Menjëherë pas konferencës filloi procesi i skriningut për Maqedoninë e Veriut për të harmonizuar kornizën tonë ligjore me BE-në. LSDM si parti shtetformuese realizon edhe një qëllim tjetër strategjik – negociatat dhe anëtarësimin në BE me identitet të mbrojtur, të konfirmuar dhe të garantuar maqedonas” thuhet në deklaratë.
Në deklaratë theksohet se çdo arritje e tanishme e shtetit do të ngelet trashëgimi për brezat e ardhshëm.
“Anëtarësimi në familjen e madhe evropiane hap perspektiva të reja për shtetin dhe qytetarët, zhvillim të përshpejtuar, prosperitet dhe stabilitet. Ne kemi një vizion të qartë se çfarë lloj vendi duam të ndërtojmë dhe t’ua lëmë brezave të ardhshëm”, përfundon deklarata e LSDM-së.
Kujtojmë se konferenca ndërqeveritare me BE-në u organizua pasi Kuvendi i Maqedonisë miratoi propozimin francez me gjithsej 68 vota PRO.