LSDM reagon nëpërmjet të një kumtese me shkrim kundër deklaratës së kryetarit të OBRM-PDUKM, Nikolla Gruevski se Ligji për përdorimin e gjuhëve është jokushtetues, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Nikolla Gruevski dhe OBRM-PDUKM përsëri e manipulojnë opinionin publik me qëllim të krijimit të ndarjeve të reja artificiale. Është e qartë se Gruevski mbetet i robëruar në politikat e tij të prishjes, konfliktit dhe izolimit të qytetarëve dhe shtetit. Lajmet e rreme janë strategjia e fundit e dëshpëruar e Gruevskit dhe OBRM-PDUKM-së. Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk është jokushtetues, por është në pajtim me nenin 5 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe i njejti avancon përdorimin e gjithë gjuhëve të bashkësive jo shumicë dhe hap mundësi për ndërtimin e një shoqërie të përbashkët për të gjithë”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga LSDM thonë se Gruevski mbetet faktori i vetëm destruktiv dhe njeri që nuk ofron zgjidhje por vazhdimisht krijon probleme, por janë të kota mundimet e tij për të manipuluar qytetarët nëpërmjet lajmeve të rreme dhe për këtë shkak në zgjedhjet lokale, qytetarët do ta dënojnë sjelljen kundër shtetërore të Gruevskit, ndërsa komunat do të fitojnë udhëheqës të rinj vendor të udhëhequr nga LSDM./Telegrafi/