Partia maqedonase në pushtet LSDM, nuk e mbështet propozim-ligjin të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, në lidhje me problemin me nënshtetësinë.
Nga LSDM thonë se kanë vërejtje për propozimin e opozitës shqiptare, si dhe paralajmërojnë takime me grupet e deputetëve dhe amendamente të tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Për ndryshimet e tekstit të propozim-ligjit do të bisedojmë me propozuesit dhe grupet e tjera të deputetëve dhe ato ndryshime do t’i bëjmë me amendamente, ndërsa qëllimi është të sigurohet konsensus i gjerë, për të ardhur tek zgjidhja adekuate. Ndryshimet e tekstit të propozim-ligjit për nënshtetësinë do të futen me procedurë të shkurtuar në Kuvend, pasi bëhet fjalë për një problem shumëvjeçar”, thonë nga LSDM.
Më tej shtojnë se korrigjimet që do t’i kërkojnë do të jenë në drejtim të respektimit të standardeve evropiane, për zgjidhjen e çështjeve të tilla.
Ndryshe, sipas propozimit të ASH-së dhe Alternativës, ata që duan të marrin nënshtetësi të Maqedonisë, do të duhet të sigurojnë tre dëshmitarë të cilët do të sigurojnë se kërkuesi i nënshtetësisë ka jetuar në territorin e Maqedonisë prej 8 shtatorit 1991, ose dëshmi të vetëm një personi i cili është banor ose jeton në vendin ku jeton kërkuesi i nënshtetësisë./Telegrafi/