LSDM-ja përmes një komunikate me shkrim ka reaguar ndaj postimit të Nikolla Gruevskit i cili tha se përderisa Zoran Zaevi po mashtron shqiptarët, partia e tij po realizon projekte për shqiptarët e rajonit të Pollogut. Nga LSDM thonë se Nikolla Gruevski duhet ta pranojë se do të jetë në opozitë, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Gruevski po premton bosh, sepse qytetarët e dinë se ai kishte 10 vite të sjellë gas natyrorë në rajonin e Pollogut, si dhe në gjithë Maqedoninë, por këtë nuk e bëri sepse ishte i interesuar për pasurim personal dhe të familjes së tij. Gruevski dhe OBRM-PDUKM-ja duhet ta pranojnë realitetin e ri se janë opozitë dhe të mundësojnë transferim të lehtë të pushtetit”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Nikolla Gruevski gjatë ditës së sotme paralajmëroi se do të bëjë gazifikimin e rajonit të Pollogut./Telegrafi/