Partitë e koalicionit të udhëhequr nga LSDM në parim kanë rënë dakord që në zgjedhjet presidenciale të shkojnë së bashku dhe të qëndrojnë pas një kandidati të përbashkët, thonë nga LSDM, ku dje në mbrëmje u mbajt takim i liderëve të mbi 20 partive.
Sipas deklaratës, u ra dakord që të vazhdonin konsultimet më të gjera brenda vetë partive, të cilat janë pjesë e koalicionit, për zgjedhjen e kandidatit të përbashkët të vendit, në interes të qytetarëve.
“Së bashku është vlerësuar se Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj u nevojitet president i vërtet, partner i qytetarëve, partner i së ardhmes, i cili do të qëndrojë në anën e forcave progresive dhe Qeverisë në proceset që do të thotë përparim, e ardhme, ekonomi, anëtarësim në NATO dhe BE”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, në emrin e koalicionit do të konsultohet me partnerët nga blloku shqiptar në koalicionin qeverisës, si dhe me forcat tjera nga qeveria dhe opozita, rreth asaj që të vihet deri tek zgjedhja e një presidenti të përbashkët, i cili do të përfaqësoj të gjithë qytetarët./Telegrafi/