Me fillim të vitit shkollor kanë filluar edhe kritikat e partive opozitare rreth cilësisë së arsimit në Maqedoni. LR-PDSH me një reagim drejtuar Telegrafit në Maqedoni ka kritikuar arsimin shqip ku thotë ”LR-PDSH: Arsimi ka nevojë për ndryshime”.
”Arsimi në Maqedoni, vazhdon të udhëhiqet nga Ministër jokompetent, i paaftë dhe fare pa përvojë, i cili shërben vetëm si marionetë politike për të mbuluar të metat e këtij dikasteri dhe për të mbajtur të diskriminuar arsimin e shqiptarëve.Mungesa e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, si dhe përdorimi i teksteve shkollore me përkthime diletanteske dhe propagandë indoktrinuese politike, vazhdon të jetë një e keqe e pariparueshme, me përmasa shqetësuese afatgjate. Mungesa e objekteve shkollore, apo mbajtja e mësimit nëpër objekte tejet të dëmtuara në shumë vendbanime shqiptare si në: Vizbeg, Lubeten, Fushë Topanë e gjetiu, pa ngrohje dhe pa energji elektrike, me kushte katastrofave që funksionojnë me nga tre ndërrime dhe shpeshherë me paralele me nga 40 deri 50 nxënës, dëshmon për paaftësinë e menaxhimit të këtij segmenti nga ata që i përfaqësojnë shqiptarët në Qeverinë e Maqedonisë. Idrizova, Lisiçja dhe Kaposhi në Shkup, ashtu sikurse edhe Kumanova dhe Manastiri, janë raste tipike të cilat flasin se sa të pafuqishëm janë qeveritarët shqiptarë në krijimin e politikave arsimore, sepse nuk kanë fuqi të hapin edhe një paralele më shumë në gjuhën shqipe.”
”Mungesa e hapësirave për kokë nxënësi, bibliotekave , kabineteve, laboratorëve, sallave të sportit, dhe mjeteve tjera didaktiko-arsimore, gjithashtu janë dështime që vazhdojnë të mbajnë vulën e BDI-së.
Qëllimi rrënues, abuzimet financiare, mosdisiplina në punë, joserioziteti dhe paaftësia e menaxhimit të institucioneve shkollore nga udhëheqës të dirigjuar nga binomi OBRM-PDUKM dhe BDI, fatkeqësisht do i shoqërojnë shkollat tona edhe këtë vit shkollor. Inspektimet rutinore, formale dhe të dezorientuara nga ana e organeve arsimore të kontrolluara nga pushteti, qëllim kryesor e kanë ndëshkimin e mësimdhënësve që nuk qëndrojnë në vijë të njëjtë politike me pushtetarët, e jo përmirësimin e gjendjes së arsimit në këtë vend.”
”Mësimdhënësit asnjëherë më parë nuk kanë qenë më të diskriminuar e degraduar se sa që janë sot. Ata përpos presioneve të ndryshme që ju bëhet nga ana e inspektoreve të ndryshëm ku vëmendje i kushtohet çështjeve administrative dhe aspak atyre mësimore, mësimdhënësit mashtrohen me rritje page, e cila tani më sa cikle zgjedhore është përdorur nga partitë politike në pushtet, por ka përfunduar vetëm si premtim elektoral.”
”Në disa shkolla p.sh. në komunën e Likovës arsimtarët paguajnë vet shpenzimet e rrugës duke u dëmtuar materialisht deri në 1/3 e pagës . Rezultatet negative të provimeve shtetërore, të testeve interne dhe atyre eksterne që mbahen nga kuadro politiko-partiake, shpijnë në përfundime degraduese joprofesionale, me shumë manipulime dhe dëme afatgjate për shumë mësimdhënës dhe shumë nxënës meritorë.”
”Edhe konceptet e maturës shtetërore që janë tendencioze dhe të dezorganizuara në vijë horizontale dhe vertikale, qëllim të vetëm e kanë vënien nën kontroll nga pushteti të çdo gjëje që ndërlidhet me arsimin dhe mësimdhënësit shqiptarë në veçanti, e jo përmirësimin e cilësisë së arsimit. Kaosit të procesit edukativo-arsimor, pa dyshim se i ndihmon edhe mekanizmi për mbingarkesën e mësimdhënësve siç është përdorimi i ditarit elektronik dhe një sërë punësh të tjera të panevojshme administrative, që kanë për qëllim largimin e tyre nga puna bazike e që është mësimdhënia. Arsimi duhet të jetë synim strategjik i një kombi, prandaj duke u bazuar në mundësinë e reformimit të tij, ne si LR-PDSH konstatojmë se arsimi ka nevojë për ndryshime. Ato mund t’i bëjnë vetëm njerëzit që punojnë në arsim dhe jo ata që rrinë nëpër zyra. Prandaj, me që shpresa dhe besimi janë humbur tek institucionet shtetërore, duhet të inkurajojmë në radhë të parë të gjithë mësimdhënësit arsimdashës, prindërit e nxënësve dhe sidomos shoqatat e ndryshme edukativo-arsimore, që të japin kontributin e tyre maksimal për të përmirësuar gjendjen e arsimit në këtë vend!”(siç) thonë nga Departamenti i Arsimit në LR-PDSH./Telegrafi/