Telegrafi

“Lot, kënaqësi por mbi të gjitha ngritje morali”, Shpend Ahmeti me emocione pas performancës së Sabri Fejzullahut

Shpend Ahmeti dhe Sabri Fejzullahu në Stadiumin e zbrazët "Fadil Vokrri" (Foto: Shpend Ahmeti/Facebook)

Sot (e shtunë) e gjithë Prishtina ka kumbuar nga zëri i këngëtarit të njohur, Sabri Fejzullahu.

Ka qenë kjo një ide e inicuar nga Komuna e Prishtinës, që në mes të një lufte pandemie siç gjendet edhe Kosova, të organizohet një koncert nga Stadiumi “Fadil Vokrri”, ku do të interpretonte i madhi Fejzullahu.

Pas përfundimit të interpretimit të tij të shkëlqyer, këngëtari është duartrokitur nga qytetarë të shumtë, të cilët vlerësimin e madh për performancën e tij po e shprehin edhe përmes rrjetev sociale.

Lexo po ashtu Sabri Fejzullahu i këndoi Prishtinës, zëri i tij jehoi nga stadiumi i zbrazët "Fadil Vokrri" për të gjithë qytetarët e vendit

I mahnitur nga ky interpretim ka ngelur edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka qenë në stadium gjatë kohës që Fejzullahu mbajti koncertin e tij.

Ahmeti ka publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Facebook një fotografi ku shfaqet krah Sabriut, teksa në mbishkrimin e saj ka vlerësuar lart performancën e tij.

“Lot, emocione, kënaqësi por mbi të gjitha ngritje morali, solidaritet e shpresë. Axha Sabri, sonte e gjithmonë Prishtina të ka zemër! E ty Prishtinë veç Dashni”, ka shkruar kryetari Shpend Ahmeti në Facebook.

Koncerti nga stadiumi i zbrazët i Sabri Fejzullahut është transmetuar live në rrjetet sociale për të gjithë qytetarët e vendit. /Telegrafi/