Sot (e shtunë) e gjithë Prishtina ka kumbuar nga zëri i këngëtarit të njohur, Sabri Fejzullahu.
Ka qenë kjo një ide e inicuar nga Komuna e Prishtinës, që në mes të një lufte pandemie siç gjendet edhe Kosova, të organizohet një koncert nga Stadiumi “Fadil Vokrri”, ku do të interpretonte i madhi Fejzullahu.
Pas përfundimit të interpretimit të tij të shkëlqyer, këngëtari është duartrokitur nga qytetarë të shumtë, të cilët vlerësimin e madh për performancën e tij po e shprehin edhe përmes rrjetev sociale.
I mahnitur nga ky interpretim ka ngelur edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka qenë në stadium gjatë kohës që Fejzullahu mbajti koncertin e tij.
Ahmeti ka publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Facebook një fotografi ku shfaqet krah Sabriut, teksa në mbishkrimin e saj ka vlerësuar lart performancën e tij.
“Lot, emocione, kënaqësi por mbi të gjitha ngritje morali, solidaritet e shpresë. Axha Sabri, sonte e gjithmonë Prishtina të ka zemër! E ty Prishtinë veç Dashni”, ka shkruar kryetari Shpend Ahmeti në Facebook.
Koncerti nga stadiumi i zbrazët i Sabri Fejzullahut është transmetuar live në rrjetet sociale për të gjithë qytetarët e vendit. /Telegrafi/