U desh një shfaqje tepër elegante e Lorik Canës në emisionin “Canal Football Club” në Francë, që tek ky i fundit të ndryshonte njëherë e mirë kodi i veshjes për futbollistët.
Emisioni sportiv i cili transmetohet mbrëmjen e së dielës, ka një shikueshmëri mesatare prej 1.4 milion teleshikuesish që arriti në 1.8 milionë prej 8 nëntorit, shkruan anabel.
Dhe kjo ka ndodhur pikërisht pas 18 tetorit, kur Lorik Cana, mbrojtësi i FC Nantes, u shfaq i veshur me një kostum blu, me kravatë e madje edhe shami, në kontrast me veshjet që futbollistët e tjerë zgjidhnin zakonisht për këtë emision që përfshijnë xhaketa me xhinse ose bluza me mëngë të shkurtra.
Dhe ashtu siç ka shkruar edhe website-i francez i “Huffington Post”, tashmë në këtë emision janë vendosur dy periudha: “para dhe pas Lorik Canës”.
Që prej daljes së tij me kostum, që gjithashtu u komentua edhe nga drejtuesit e emisionit si tepër elegante, të njëjtën gjë kanë bërë edhe futbollistët e tjerë në vazhdim.
Siç shihet në videon e mëposhte, ata kanë ndjekur shembullin e kapitenit të kombëtares shqiptare duke iu drejtuar kostumeve chic.