Shumë zhurmë është zgjuar mbrëmë (e enjte) për kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, për të cilin u tha se “u arrestua” në Milano, pasi kishte shkuar për të ndjekur ndeshjen KF Shkëndija – Milan.
Megjithatë, gjithçka duket të ketë qenë një ngatërresë e emrit, dhe si shkas Ahmeti është vonuar në ndjekjen e ndeshjes.
Një ditë më pas, ai ka vendosur të publikojë në rrjetet sociale një fotografi ku shfaqet krah futbollistit të njohur, ish-kapitenit të Kombëtares, Lorik Cana.
“Na ‘esktraduan'”, shkruan Shpend Ahmeti me satirë në mbishkrimin e fotografisë, duke ironizuar me lajmet e mbrëmshme rreth “arrestimit” të tij.
Vetëm pak çaste më vonë, edhe Lorik Cana ka publikuar një ‘selfie’ me kryetarin e Prishtinës, teksa në mbishkrimin e fotografisë e ka krahasuar atë me aktorin e njohur amerikan, Tom Hanks.
Mesa duket, dyshja kanë kaluar çaste të këndshme bisede e humori nën shoqëri të njëri-tjetrit. /Telegrafi/