Loriana Kuka është kualifikuar në finale të Grand Prixit të xhudos, i cili po mbahet në Marrakech të Marokut.
Xhudistja nga Kosova shënoi tri fitore në kategorinë -78 kilogramë, ndërsa në finale takohet me gjermanen Maria Ana Wagner.
“I urojmë fat dhe suksese Lorianës në luftën për medaljen e artë”, thuhet në postimin e KOK-ut në Facebook.
Gara për çmimin e madh të këtij viti në Marrakech është shumë e rëndësishme, duke qenë se vlen për pikë kualifikuese në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’.
Ndërkaq, theksojmë se Loriana është xhudistja e vetme nga Kosova që është pjesëmarrëse në këtë garë.
Kujtojmë që xhudistja jonë arriti deri në finalen e madhe edhe në ‘Tel Aviv 2019’, ku e rrëmbeu medaljen e argjendtë.
Në garën e zhvilluar në Izrael, ajo nuk arriti ta mposhtte vetëm sllovenen Klara Apotekar në kategorinë deri në 78 kilogramë.