Xhudistet Kosova, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu i kanë nisur me fitore garat në Kampionatin Evropian për seniorë që po mbahet në Montpellier të Francës.
Kuka ka fituar ndeshjen e parë, të vlefshme për raundin e dytë në kategorinë deri në 70 kilogramë.
Pejania në këtë takim mposhti xhudisten suedeze, Anna Bernholm, e cila mori tri dënime për pasivitet.
Në raundin tjetër, Kuka ishte e pafat duke mbyllur garat pasi u mposht nga holandezja Sanne Van Dijke.
Luftën e parë, të vlefshme për raundin e dytë e fitoi edhe Laura Fazliu në kategorinë deri në 63 kilogramë.
Laura në këtë ndeshje fitoi me ‘ippon’ ndaj Yuliaa Hrebenozhko nga Ukraina, duke kaluar në raundin tjetër.
Në raundin tjetër, Fazliu do të ndeshjet me francezen Clarisse Agbegneneu.
Vlen të theksohet se gjatë ditës së djeshme, xhudistet nga Kosova fituan dy medalje.
Distria Krasniqi fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 52 kilogramë, ndërsa Nora Gjakova fitoi të bronztën në kategorinë deri në 57 kilogramë. /Telegrafi/