E ndodhur në Sevilla të Spanjës në edicionin e sivjetmë të ‘MTV Europe Music Awards’, Loredana Zefi ka pasur rastin të takohet me shumë yjet të botës së spektaklit dhe fushave të tjera.
Një prej tyre ishte superylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, i cili së bashku me partneren e tij, Georgina Rodriguez, e vodhën spektaklin gjatë parakalimit në tepihun e kuq.
Me rastin e takimit me futbollistin e madh, këngëtarja shqiptare e ka bërë edhe një fotografi, të cilën e ka shpërndarë në rrjetet sociale.
Në ndërkohë, Loredana i ka ofruar mbështetje Dua Lipës në momentin e interpretimit të hitit të saj, “Don’t Start Now”. Një publikim në rrjetet sociale, ajo e ka shoqëruar me mbishkrimin: “Të dua Dua Lipa”.
Ndryshe, reperja shqiptare ka qenë pjesëmarrëse në ceremoninë e ‘MTV Europe Music Awards 2019’, ku e ka fituar çmimin si performuesja më e mirë zvicerane. /Telegrafi/