Telegrafi

Loredana shtyn turneun muzikor për vitin 2021

Loredana Zefi (Foto: Instagram/loredana)

Rep-artistja Loredana Zefi po thyen rekorde të shumta në tregun muzikor të Zvicrës e po ashtu edhe në vendin tonë.

Ajo ka fituar dashurinë e mijëra fansave qysh në këngën e parë, e cila për pak ditë kishte marrë miliona klikime në YouTube. Pas suksesit me këngët e njëpasnjëshme, Loredana para një muaji kishte filluar turneun e saj muzikor, të cilin e startoi në qytetin Leipzig.

Por, menjëherë pas këtij koncerti, asaj i është dashur që t’i shtyjë koncertet e radhës për shkak të pandemisë coronavirus.

 

 

Duke qenë se nuk ishte një vendim i lehtë për t’u marrë, reperja deri ditën e sotme (e shtunë) nuk kishte njoftuar se çfarë do të ndodhë me turneun apo me biletat e shitura.

Përmes rrjetit social Instagram, Loredana ka theksuar për 2.8 milionë ndjekësit e saj se ky turne do të mbahet në vitin 2021 dhe se të njëjtat bileta do të vlejnë për vitin tjetër.

Loredana (Foto: Instagram)

“Më vjen keq që kaloi kaq shumë, por ndryshe nga shume artistë të tjerë, të cilët duhej të shtyjnë turnetë e tyre për shkak të coronas, unë duhej të hiqja dorë nga gjithë turneu im, meqenëse ishim në mes të tij”.

“Do t’ju njoftoj për datat e turneut të ri sa më shpejt që të jetë e mundur. Faleminderit për kohën dhe durimin tuaj. Kujdesuni për veten dhe qëndroni të shëndetshëm”, ka shkruar Loredana.

Për shkak të pandemisë coronavirus, reperja tashmë po qëndron e izoluar së bashku me familjen e saj. /Telegrafi/