Viti 1808 ka qenë i vështirë për Lord Bajronin (George Gordon Byron). Në atë vit Bajroni shkoi për të jetuar në Newstead Abbey, që ishte pallati që e trashëgoi së bashku me titullin (Lord). Pallati ishte para shkatërrimit dhe pa orendi e mobilie të cilat i kishte shitur paraardhësi i tij. Bajroni ishte aristokrat, por nuk kishte para. Edhe sikur të kishte, do t’i shpenzonte të gjitha pa ndonjë kujdes. Vajza që e dashuronte, Mary Chaworth, u martua për dikë tjetër dhe Bajroni këtë e konsideronte si poshtërim.
I kishte kryer studimet në Oxfrod dhe shkroi një libër me poezi, e cila u botua. Por, kritika këto poezi i cilësoi si tejet të parëndësishme apo pa nivel. ‘Kjo është poezia që nuk e pranon as njeriu e as Zoti’, kishte shkruar atëherë një kritik. Ndaj, nuk dilte nga dhoma e fjetjes, ku shkruante më shumë se që flinte. Afër dritares e kishte tavolinën e punës dhe nga aty e shikonte kopshtin. Kjo dhomë edhe sot e ruan atmosferën e dikurshme. Sidoqoftë, Bajroni nuk dorëzohej edhe pse ndjehej i parëndësishëm dhe i poshtëruar. Nuk fliste me askënd. Ditën dilte në liqenin që e kishte para pallatit dhe shtrihej në barkë dhe lexonte. Afër e mbante vetëm Botswan-in, qenin që e donte dhe që vetëm me të shoqërohej.
Kur një ditë qeni cofi, ai u trondit. Por, i bëri një varrim me ceremoni të rrallë. E varrosi në kopsht, aty ku dikur kishte qenë altari i një kishe të vjetër që më nuk ekzistonte. Ia ngriti një përmendore dhe në epitaf shkroi:
Afër këtij vendi
Janë vendosur mbetjet e njërit
I cili ka poseduar bukuri pa kotësi
Fuqi pa paturpësi
Kurajo pa egërsi
Dhe të gjitha virtytet e njeriut pa vese.
Ky naltësim do të ishte lajkë e pakuptimtë
Sikur të gdhendej mbi hirin e njeriut,
është vetëm një tribut përkujtimor për
Botswain-in, një qen,
I cili ka lindur në Newfoundland, në maj 1803
Dhe vdiq në Newstead Abbey me 18 nëntor 1808
Epitafi përcillet me disa vargje që janë karakteristikë e poezisë bajroniani. Këtu Bajroni ironizon me karakterin e njeriut duke e lënë nën nivelin e atij që posedonte qeni i tij. Madje, Bajroni një ditë i kishte thënë shërbëtorit më të dashur se do ta varroste aty afër qenit. Shërbëtori pranoi, por më një kusht. ‘Me gjithë dëshirë imzot. Por, vetëm nëse edhe ju varroseni aty. Nuk më pëlqen të jem vetëm me qenin’, i kishte thënë shërbërori.
Bajroni, pos dëshpërimit, nuk shihte diçka tjetër në Angli. Një ditë i mblodhi shokët dhe propozoi që ta vizitonin Evropën dhe territoret e Perandorisë Otomane. Do të shkonin në Shqipëri. Kryesisht për t’u takuar me Ali Pashë Tepelenën që i kishte dalë nami në tërë Evropën. E shoqëroi vetëm miku i tij i ngushtë, Hobhause, i cili më vonë do të quhej Lord Broughton. Me disa shërbëtorë, fillimisht shkuan në Portugali. Pastaj në Spanjë, Maltë dhe më në fund arritën në Shqipëri.
Shqipëria u bë vendi që ia ndryshoi jetën. U mahnit nga bukuritë natyrore të Shqipërisë dhe nga karakteri dhe pamja e shqiptarëve. Takimi me Ali Pashën ishte i veçantë dhe ai këtë e përshkroi në mënyrën e tij. Në Shqipëri iu hapë horizonti gjenial poetik dhe në Janinë filloi ta shkruante Kanton e Parë të ‘Childe Harold’s Pilgrimage’ (Shtegtimi i Çajld Haroldit). E vazhdoi në Greqi dhe e përfundoi në Izmir dhe Stamboll, ku përjetoi çaste përrallore.
Kur u kthye në Angli (1811), ishte zhytur në borxhe deri në fyt. Në vitin 1812, ‘Childe Harold’s Pilgrimage’ doli nga shtypi dhe tërë librat u shitën brenda dy-tri ditëve. Kjo ishte një befasi e madhe dhe e papritur. Me këtë rast Bajroni tha: ‘Një ditë, në mëngjes u zgjova i famshëm’.
Në opinionin britanik libri e prezantoi Shqipërinë nga dera e madhe. Mbi të gjitha, Bajroni i kishte shtyrë kufijtë e poezisë dhe shumë shpejt e tërë bota e mori vesh këtë punë. U popullarizua aq shumë, sidomos në mesin e grave të cilat e përcillnin kudo që shkonte. Pritnin në radhë për të biseduar me të apo për ta prekur. Ftohej në të gjitha ahengjet që organizonte aristokracia angleze. Në disa nga këto ahengje, Bajroni, në mënyrë që të paraqitej sa më ekzotik, vishej me rroba shqiptare dhe këndonte këngë shqip. Dhe, kështu, Bajroni u bë super ylli i parë medial botëror. Sikur t’i pranonte honorarët nga shitjet e mëdha të botimeve të tija, do ta kishte shumë më lehtë. Por, si aristokrat që ishte, në këtë fazë të rinisë, i konsideronte poshtërsi paratë që vinin nga shitja e produktit të punës së inteligjencës.
Por, fama i solli shumë probleme. Skandalet me gra nuk patën fund. U përhapën fjalë se kishte marrëdhënie seksuale edhe me burra. Flitej se diçka e tillë kishte ndodhur edhe me Ali Pashën. Thashethemet që zgjeroheshin bënin me dije edhe për incestin me motrën që e kishte nga ana e babait. Martesa me Annabellan, që u mendua se do ta stabilizonte jetën e tij private dhe publike, nuk funksionoi.
Përkundër famës, e cila dikur e mori anën e keqe, rriteshin edhe borxhet dhe nuk i mbeti rrugë tjetër pos të merrte në sy Evropën edhe një herë. Dhe, nuk do të kthehej i gjallë. Pas vdekjes u formua një komision, i përbërë kryesisht nga shokët e tij, për të vendosur se cilat dorëshkrime do të botoheshin e cilat jo. Pjesa dërmuese e ditarit të tij u konsiderua si material tejet i pamoralshëm, u dogj. Ky vendim sot paraqet një humbje të madhe për letërsinë dhe historinë. Aty, në mes gjërave tjera, me siguri ka patur detaje shtesë për Shqipërinë dhe për kontaktin e tij me Ali Pashën e cila gjë sot, për shkak të mungesës së dëshmive (të djegura), ka mbetur në nivelin e thashethemeve. /Telegrafi/