Telegrafi

Lojtari që dikur u përfshi në një përleshje me Nunez, mund të bëhet transferimi i parë i Slot tek Liverpooli

Një lojtar i Ligës Premier po përmendet si njëri prej objektivave kryesor të Liverpoolit në këtë afat kalimtar veror dhe ai ka një të kaluar jo të mirë me Darwin Nunez.

Arne Slot ende nuk ka kompletuar ndonjë transferim që prej se e zëvendësoi Jurgen Kloppin në ‘Anfield’.

Liverpool, sidoqoftë, është lidhur me një numër lojtarësh para fillimit të sezonit të ri nën urdhrat e Slot.

Mbrojtësi i Crystal Palace, Marc Guehi mendohet të jetë në listën e ngushtë të klubit anglez, ndërsa kartoni i tij vlerësohet rreth 51.1 milionë euro.

Sidoqoftë, tani është zbuluar një alternativë më e lirë pasi Liverpooli po ashtu thuhet se po monitoron bashkëlojtarin e Guehit, Joachim Andersen, i cili një herë ishte përplasur ashpër me Nunezin.

Reprezentuesi uruguaian ishte përfshirë në një përleshje me Andersenin në debutimin e tij në Ligën Premier dhe për këtë gjest ishte ndëshkuar me karton të kuq.

Që prej atij incidenti që ndodhi në sezonin 2022/2023, Andersen ka shkëlqyer tek Palace duke u paraqitur në 37 ndeshje sezonin e kaluar.

Lexo po ashtu Liverpooli synon transferimin e yllit argjentinas si zëvendësues ideal të Robertsonit

Paraqitjet e tij të mira nuk kanë kaluar pa u vërejtur pasi Liverpooli raportohet se mund ta bëjë një ofertë për reprezentuesin danez i cili përfaqësoi shtetin e tij në Euro 2024.

Gjatë tri sezoneve sa është pjesë e Palace, Andersen numëron rreth 103 paraqitje në elitën e futbollit anglez duke u konsideruar si njëri prej lojtarëve më të mirë në pozicionin e tij./Telegrafi/