Telegrafi

Lojtari i momentit në Kosovë – Valmir Veliu flet për objektivat individual dhe me Llapin, si dhe thashethemet e transferimit të tij

Valmir Veliu (Foto: Telegrafi)

Sulmuesi i talentuar i Llapit, Valmir Veliu është lojtari më i mirë i momentit në BKT Superligën e Kosovës, duke udhëhequr klubin nga “Zahir Pajaziti” drejt fitoreve dhe rezultateve pozitive në kampionat dhe Kupën e Kosovës. Për formën e tij dhe objektivat dhe thashethemet e transferimit, Veliu ka folur në një intervistë për Telegrafin.

Llapi e ka nisur sezonin pranveror në mënyrë të përkryer duke arritur tri fitore dhe një barazim në kampionat, teksa ka kaluar edhe në çerekfinale të Kupës së Kosovës, pasi ka eliminuar Ferizajn.

Njëri nga lojtarët më meritor në këtë nisje perfekte të sezonit pranveror, padyshim se është edhe sulmuesi 21-vjeçar, Valmir Veliu.

Lexo po ashtu Formacioni i javës në BKT Superligën e Kosovës në futboll

Veliu ka qenë vendimtar me golat dhe asistime e tij këtë sezon dhe në veçanti në ndeshjet e pranverës, duke shënuar në udhëtimin te Drita në barazimin 1-1 dhe dy gola tjerë në fitoren 3-0 ndaj Malishevës.

Momenti i golit të Veliut ndaj Dritës (Foto: KF Llapi/Facebook)

Reprezentuesi i Kosovës U-21 gjithashtu ka asistuar në fitoren 0-2 ndaj Ferizajt në Kupën e Kosovës dhe fitoren 2-0 ndaj Ulpianës në Superligë.

Veliu ka folur për portalin Telegrafi në lidhje me formën e tij superiore, objektivat individuale dhe ekipore dhe si dhe thashethemet e transferimit.

Veliu duke festuar asistimin ndaj Ulpianës (Foto: KF Llapi/Facebook)

Forma? Po, jam duke kaluar në formë të mirë edhe objektivat individual jonë që t’i  ndihmoj ekipit për arritjen e objektivit që është dalja në Evropë dhe pse jo edhe titullin kampion në Superligën e Kosovës”, ka thënë fillimisht Veliu për Telegrafin.

Objektivat? Me këtë formë, mendoj që të shënojë më shumë gola që t’i ndihmoj ekipit për t’i arritur objektivat që kemi së bashku. Numri i golave për mua nuk ka rëndësi”.

Transferimi? Për momentin jam i fokusuar vetëm të Llapi që ta jap maksimumin dhe sa i përket ofertave do ta shohim në fund të kampionatit me kompaninë  time menaxheriale KA Sportmenagment”.

Lexo po ashtu Valmir Veliu është lojtari i javës në BKT Superligë

Kampionati i preferuar? Nuk ka rëndësi kampionati se ku dua të luaj, pasi të gjitha jonë në nivel të lartë, por normalisht me punë mund te arrihet gjithçka”, përfundoi ylli i Llapit.

Në këtë sezon, Veliu ka zhvilluar 19 ndeshje në BKT Superligën e Kosovës, duke shënuar 8 gola dhe 6 asistime, ndërsa në të gjitha garat, 21-vjeçari ka 23 paraqitje, duke shënuar 9 gola dhe 8 asistime. /Telegrafi/