Trajneri i Sheffield Unitedit, Chris Wilder, ka premtuar se do t’ia bëjë Jurgen Kloppit sa më të pakëndshme vizitën e të shtunës në Bramall Lane, duke thënë se lojtarët e tij nuk do t’i shkëmbejnë fanellat me futbollistët e Liverpoolit.
Strategu anglez dëshiron që ekipi i tij ta ruajë karakterin e fortë, njësoj si në ndeshjen ndaj Chelseat, ku u kthyen nga disavantazhi prej dy golash dhe barazuan në 2-2.
Njëherësh, Sheffieldi ka regjistruar edhe dy fitore (ndaj Crystal Palace dhe Everton) ashtu që mban vendin e 10-të në tabelë me tetë pikë të arkëtuara pas gjashtë javës.
“Nuk dua që lojtarët tanë ta marrin këtë ndeshje me shumë pozitivitet. Duke biseduar me lojtarët e tyre para ndeshjes dhe duke i shkëmbyer fanellat apo duke nënshkruar ndonjë prej tyre”.
“Jemi në këtë takim në të njëjtin nivel në fushë, sa i përket një ndeshjeje të Ligës Premier. Natyrisht se ka dallim të madh ndërmjet dy klubeve aktualisht dhe përpiqemi që ta ngushtojmë atë diferencë”.
“Nuk dua që Liverpooli të vijë në fushën tonë të shtunën dhe të shkojë duke thënë: ‘Faleminderit shumë, ishin tri pikë të lehta, njësoj siç i kemi marrë gjatë gjithë sezonit'”, ka deklaruar trajneri i Sheffieldit. /Telegrafi/